Gazeta Si – Pas paraqitjes së tij në SPAK, ku zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, kryedemokrati Sali Berisha e ka cilësuar Prokurorinë e Posaçme si një “seksion të një karteli droge”.
Duke iu drejtuar qytetarëve jashtë ambienteve të SPAK-ut, Berisha deklaroi se i kishte lënë një mesazh zyrtar kreut të Prokurorisë së Posaçme: “Nga sot Altin Dumani do quhet Altin Troplini”.
Sipas Berishës, arsyeja për këtë epitet është se “Dumani ka mbajtur për 22 ditë një vendim arresti për Xhevdet Troplinin, Elvis Doçin dhe të tjerë pjesëtarë të një karteli të fuqishëm droge, duke i lejuar që të largohen nga vendi pa u ndaluar”.

“Kjo zyrë shteti, e paguar me rroga nga më të lartat në Ballkan, është bërë seksion i kartelit që kontrollon portin e Durrësit dhe trafikun e kokainës në Europë. Për këtë arsye, unë e quaj zyrtarisht Altin Troplini, bashkëpunëtor i kartelit më të fuqishëm të drogës në kontinent”, deklaroi Berisha.
Ai e akuzoi SPAK-un si një strukturë që bën “pazare me kriminelët” dhe “mbron trafikantët duke sabotuar drejtësinë”.
Sipas ish-kryeministrit, Elvis Doçi dhe Xhevdet Troplini – të cilët ai i identifikon si bosët e kartelit – kanë arritur të largohen të lirë, ndërsa Prokuroria “ka qëndruar pasive”.
Më pas, ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar gjyqtaren Irena Gjokën. Duke e cilësuar si “Irena me 5 mbiemra”, Berisha akuzon Gjokën si falsifikuese dhe këtë akuzë e bazon në një kontratë.
Ai vijoi duke akuzuar zyrtarë të qeverisë aktuale se kanë mbrojtur dhe legjitimuar këtë kontratë:
“Ajo ka kontratën më të ccuditshme në Shqipëri, rajon e evropë. Kjo kontratë është pranuar si dokument zyrtar megjithëse s’ka noterizim. Është pranuar si dokument zyrtar nga drejtorët e Edi Ramës për të justifikuar paratë e saj të krimit dhe për ta mbajtur në shërbim. Kontratë qiraje, e lidhur në Fier më 13 shkurt 1996.
Ndërkohë pasi dosja e aferës “Partizani” kaloi për gjykim, sot në Gjykatën e Posaçme hidhet shorti që do të gjykojnë dosjen për të cilën janë marrë të pandehur, ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 persona të tjerë.
Dosja “Partizani”, për të cilën hetohet ish-kryeministri, kaloi më 19 maj për gjykim, pas shtatë muajsh qëndrimi në seancë paraprake. Në këtë dosje janë dërguar për gjykim pesë të pandehur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.