Gazeta Si – Kreu i PD, Sali Berisha, ka shtuar listën e akuzave ndaj gjyqtares së dosjes “Partizani”, Irena Gjoka.
Pasi e denoncoi më herët se nuk kishte deklaruar një dënim të dhënë nga drejtësia greke në vitin 2005 dhe se ka 5 mbiemra, kryedemorati tha se Gjoka falsifikoi edhe kombësinë.
Për këtë, ai akuzoi sërish kreun e SPAK, Altin Dumani për manipulim të çështjes penale, duke pretenduar se Irena Gjoka është shpallur e pafajshme në mënyrë të padrejtë.
Pasi zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në SPAK, Berisha shtoi, ajo ka falsifikuar dokumente dhe kombësinë, duke u paraqitur si minoritare në Greqi, ku sipas tij është dënuar edhe nga gjykata.
Ai pretendon se çështja ndaj saj është hapur pa emër për të shmangur pasojat ligjore dhe më pas është mbyllur me emër.
Berisha e përshkroi këtë rast si një akt unik të shkeljes së ligjit dhe mbrojtjes së krimit, duke treguar, sipas tij, fytyrën e vërtetë të institucioneve të drejtësisë në vend.
Ai tha se për ta ka një mbiemër të ri, Maneka… “Altin Maneku Troplini! Altin Troplini merr edhe një mbiemër të ri, të denjë për të dhe ky mbiemër është ‘Manaku’. Mercenarit të Edi Ramës, armikut të egër të pluralizmit dhe votës së lirë të shqiptarëve. Drejtësia vonon, por nuk harron!”, u shpreh Berisha për ish-kreun e Strukturës së Posaçme.
Kryetari i PD, akuzoi edhe kryeministrin Edi Rama apo drejtues të KLP-së se kanë mbrojtur një person të dënuar në Greqi, duke e shpallur të pafajshme në mënyrë të dyshimtë, referuar gjyqtares Gjoka.
Ai vuri në dukje po ashtu se ky vendim bie në kundërshtim me praktikat e mëparshme gjyqësore, ku dënimet jashtë vendit janë konsideruar të vlefshme për vendimet brenda Shqipërisë.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka bërë më herët me dije se ndaj gjyqtares Irena Gjoka, nuk rezultojnë të dhëna për dënim penal, ndërsa hetimet janë bazuar në verifikime zyrtare dhe dokumente të administruara nga institucionet përkatëse.
Në një reagim të dërguar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Irena Gjoka ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për vendimin e dënimit dhe po ashtu ai vendim i gjykatës së Janinës nuk kishte hyrë asnjëherë në fuqi.
I pyetur nga gazetarët nëse do jetë në seancë gjyqësore në rast se thirret kryeministri Edi Rama për t’u pyetur për dosjen “Partizani”, kryedemokrati u shpreh se është i gatshëm për çdo ballafaqim, duke sfiduar Ramën për praninë e kamerave.
Por Berisha, shton se Rama nuk vjen dot në një seancë të tillë, pasi prokurorët dhe gjykatësit i shumëzon me zero.
Sali Berisha përballet me akuzën për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me veprime të dyshuara të paligjshme.
Po ashtu, prokuroria ka ngritur akuza edhe ndaj Xhimi Begeja, ortak i Malltezit, dhe Andia Pustina, financiere në kompaninë “Homeplan”, të cilët dyshohen për përfshirje në skema të pastrimit të parave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje