Politike

Berisha refuzon të njohë rezultatin e zgjedhjeve dhe thërret protestë më 16 maj

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha refuzoi kategorikisht të pranonte rezultatet e zgjedhjeve, duke i cilësuar ato si “më të manipuluarat në histori”.

Në një konferencë për shtyp, Berisha njoftoi se PD-ja do të organizojë një protestë për të denoncuar sipas tij vjedhjen e zgjedhjeve të 11 majit, pikërisht në ditën kur në Tiranë do të mblidhen liderët e Komitetit Politik Europian.

“Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet në datën 16, në orën 17:00, në Bulevardin Zogu I, për të sensibilizuar opinionin publik botëror, mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral, Edi Rama, që nuk respekton asnjë ligj ndërkombëtar për zgjedhjet”, tha Berisha në një konferencë për mediat.

Ai tha se protesta do të jetë paqësore dhe garantoi se nuk do të ketë probleme që të cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e shtetarëve që vijnë.

“Por duam që ata ta mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh ligj as moral për votën dhe vullnetin e qytetarëve të tij”, tha Berisha referuar liderëve europianë.

Ai akuzoi qeverinë se ka bashkëpunuar me grupe kriminale për të ndikuar sipas tij vullnetin e qytetarëve dhe rezultatin përfundimtar të votimeve.

“Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin të lira dhe as të ndershme. Ato u diktuan nga krimi. Bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të Shqipërisë dhe në 20 bashki të vendit. Këto grupe kriminale patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale”, deklaroi Berisha.

Ai përmendi konkretisht bashkinë e Vorës, ku sipas tij, një bandë lokale ka ushtruar presion dhe dhunë ndaj qytetarëve.

“Në Vorë, banda e Xhabaftit ndikoi në mënyrë të dhunshme vullnetin e qytetarëve. Ky nuk është votim demokratik, por një farsë e orkestruar nga qeveria në bashkëpunim me krimin”, tha ai.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorimin e blerjes së votave në mënyrë masive sipas tij, duke i referuar faktit të dërgimit të zarfeve me 100 euro për pensionistët dhe faljen e gjobave dy ditë para zgjedhjeve.

“Zarfi me 100 euro, i dërguar në mes të fushatës, dhe amnistia për 200 milionë euro gjoba dhe kamata për periudhën 2015-2025 janë blerja më e fuqishme publike e votave në historinë e Shqipërisë,” theksoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë