Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat ka akuzuar Partinë Socialiste, duke denoncuar me pamje atë që e cilësoi si operacionin e ‘trenit bullgar’.
Berisha denoncoi si në disa qendra paralele të vendosura pranë qendrave të votimit, zyrtarë të lartë të PS-së sipas tij organizuan dhe drejtuan procesin e blerjes së votave në zgjedhjet e 11 majit.
Berisha tha se zyra ishte pa asnjë shenjë elektorale dhe se personat tentuan të fshihen prapa xhamit.

“Mercenarë të paguar bëjnë çdo gjë që të justifikojnë dhe t’u servirin shqiptarëve farsën elektorale si proces zgjedhor. Këta, edhe njëherë, në minimum mercenarë, që nxijnë letra, shkrime, artikuj dhe të tjerë, janë mashtrues kongenitalë dhe falsifikatorë të paskrupullt.
Ata duan të paraqesin, duan të gjejnë në universin e farsës, ishuj në të cilët pretendojnë se ishte paqja në zgjedhje.
Këtu do paraqes pak qendrat paralele elektorale me qendrat e votimit të PS, ku zyrtarë të niveleve të larta, qëndrojnë të fshehur, klandestinë, për të drejtuar operacionin e trenit bullgar dhe paguar votat që blejnë.
Zyra sekrete pa asnjë shenjë elektorale, në të cilën tentojnë të fshihen prapa xhamit”, tha Berisha.
Ai komentoi edhe kërkesat e deputetëve të listës së hapur për rinumërimin e votave, duke theksuar se janë të lirë të bëjnë transparencë.
“Për sa u përket kandidatëve nuk e di sa kanë kërkuar rinumërimin apo procedurën, por cilido që dëshiron është i lirë ta bëjë transparencë. Nëse ka pasur njerëz të pandërgjegjshëm ata do identifikohen dhe do mbahet qëndrim ligjor”, tha Berisha.
Berisha tha më tej se raporti përfundimtar i kësaj force politike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, do të jetë e gatshme midis datave 10-15 qershor.
Ky raport, për të cilin deri tani Berisha shprehet se do nxjerrë në pah “farsën elektorale” të zhvilluar nga partia në pushtet, do të drejtohet tek të gjitha kancelaritë e vendeve anëtare të OSBE-së, BE-së, si dhe Këshillit të Evropës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.