Politike

Berisha për Ramën: Teksa vendi digjej, i caktoi vetes pension 4 mln lekë në muaj!

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ky i fundit i ka caktuar vetes pensionin më të lartë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë.

Sipas Berishës, Rama ka përcaktuar për veten një pension prej 4 milionë lekësh në muaj, që do të thotë rreth 48 milionë lekë në vit, në një kohë kur vendi ishte i përfshirë nga zjarret.

“Edi Rama caktoi për veten e tij një pension 30 herë më të madh se mesatarja e pensioneve në Shqipëri. Pensioni mesatar vjetor sipas INSTAT është vetëm 1.6 milionë lekë,” tha Berisha, duke shtuar se një vendim i tillë është sipas tij i paprecedent dhe i denjë vetëm për “diktatorë të rrallë”.

Ai theksoi se edhe presidentit i është caktuar një pension më i ulët, prej 3.5 milionë lekësh në muaj, ndërkohë që tha se “për Ramën ky ka qenë preokupimi i verës, në vend që të merrej me problemet e qytetarëve.”

Mandej ai hodhi akuza kundrejt INSTAT se sipas tij po mashtron duke përllogaritur si eksporte mallrat që kalojnë transit për në Kosovë.

Berisha pretendoi se INSTAT po paraqet një realitet të rremë në sektorin e eksporteve, pasi sipas tij, fluksi i madh i eurove që vijnë me kontejnerë, mikrobusë apo mjete të tjera nga karteli i drogës, ka zhvlerësuar ndjeshëm euron dhe ka shkatërruar sektorin eksportues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë