Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi drejtuesin e PS për Diasporën, Taulant Balla, se ka manipuluar procesin gjedhor të 11 majit, duke futur sipas tij njerëzit e tij brenda sistemit të dërgimit të votave nga jashtë.
Duke publikuar fotot e një punonjësi postar, të identifikuar si Sinan Patozi, një herë teksa përpunon zarfet e votave të Diasporës dhe në një foto tjetër teksa pozon krah Ballës, Berisha tha sipas tij se ky është vetëm një episod i mashtrimit.
Denoncimin fillimisht e bënë një ditë më parë drejtuesja e PD për Diasporën, Jozefina Topalli dhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka.
“Sot këtu kemi sjellë disa foto dhe video, që faktojnë se patronazhisti është personi që merr në dorë votën e diasporës, I cili drejtohet direkt nga famëziu Taulant Begojaris. Ja ku e keni. Krenar njëri me tjetrin për krimin që kryejnë. Ja ku është. Votat në duart e partisë së krimit. Ky është vetëm një episod, ose një dëshmi, një fakt. Ekzistojnë të tjera në të cilat votat e diasporës u shtetëzuan dhe u manipuluan në shkallën që deshi, partia e krimit. Në shkelje të plotë të kontratës, dhe sigurisht ka vetëm një konkluzion: këto zgjedhje nuk mund të njihen kurrë. Detyra themelore e çdo demokrati dhe demokrateje është, rikthimi i të drejtës së votës së lirë, largimi i Edi Ramës nga pushteti, qeveria teknike dhe vota e lirë”, tha Berisha në konferencën e përditshme për mediat.
Mandej ai akuzoi sërish Postën Shqiptare se është përfshirë në këtë proces, duke ndikuar në favor të socialistëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.