Politike

Berisha: Pas dokumentimit të farsës elektorale, do nisim të gjitha format e protestave

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se opozita do të nisë së shpejti protesta brenda dhe jashtë vendit, pas verifikimeve që sipas tij, po dëshmojnë manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit.

Ai theksoi se PD është në një fazë dokumentimi të asaj që e ricilësoi “farsë elektorale” të organizuar nga qeveria.

Sipas Berishës, verifikimet në dy qarqe kanë nxjerrë në pah shkelje të rënda që “tejkalojnë imagjinatën njerëzore”.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se ka përdorur çdo mjet logjistik, financiar dhe administrativ për të deformuar vullnetin e qytetarëve.

Berisha denoncoi dhe shpërndarjen e bonuseve në prag të zgjedhjeve.

“Unë po i lë të gjitha, sepse kultura elektorale ligjore çdo njeriu që ka ABC-në e saj, e detyron të mos pranojë për zgjedhje po farsë të gjithë ato procese ne të cilat qeveria jep gjysmë miliard euro prokurime në kundërshtim me ligjin.

Në të cilat qeveria jep 100 euro shpërblim për 48 përqind të votuesve në mes të fushatës elektorale. Në të cilat qeveria përdor dhjetëra mijëra punonjës si operatorë politikë elektoralë.

Në të cilat qeveria fal 200 milionë euro dy ditë para zgjedhjeve. Në të cilat qeveria dekreton mbjelljen e një sipërfaqe 140 herë më shumë se e lejon ligji me kanabis vetëm për zgjedhjet.

Pra, këto për ata që kanë minimumin e kulturës ligjore elektorale janë të mjaftueshme për të kuptuar që kjo është një farsë elektorale. Vota vdiq pa hyrë në kuti”, u shpreh ai, duke e quajtur procesin “farsën më të shëmtuar që ka ndodhur ndonjëherë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë