Politike

Berisha: Paraqitëm në Këshillin e Europës videon që dëshmon farsën elektorale të 11 majit

Nga Gazeta ‘Si’- Sali Berisha tha se ka u treguar deputetëve të Partive Popullore Europiane në Këshillin e Europës video nga zgjedhjet e 11 majit, ku sipas tij faktohet ajo që PD e quan “masakra elektorale”. 

Nga pamjet duken komisionerë që nxjerrin fletë votimi nga kutitë, të tjerë që votojnë 4 herë, të tjerë që shoqërojnë votuesit në momentin e përzgjedhjes së partisë apo kandidatit të preferuar duke shkelur të drejtën e fshehtësisë së votë.

Berisha tha se video u shfaq edhe në seancën e komitetit të Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE nga deputetja Albana Vokshi dhe e shokoi audiencën.

“Edhe njëherë e them, pamjet e paraqitura në tempullin, në grupin parlamentar të Partisë Popullore, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ishin shokuese për audiencën. Tani zhvillohet debati, në të cilat zgjedhjet janë, zgjedhje që nuk kanë të bëjnë me zgjedhje me standardet Europiane, siç konstaton vetë delegacioni dhe rreshton aty një listë të gjerë problemesh themelore, manipulimesh, mashtrimesh, blerje vote, por komentet dëshiroj t’i bëj pasi raporti të miratohet në asamblenë parlamentare”.

Më tej Berisha shtoi se zgjedhjet në vend sipas tij u zhvilluan “në kushtet e terrorit politik, të karteleve të drogës dhe organizatave më të rrezikshme kriminale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë