Politike

Berisha paralajmëron denoncim për 11 majin: Farsë! S’ka nisur të flasë laptopi

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD-së, Sali Berisha paralajmëroi sot publikimin e një tjetër “lajmi të veçantë” ditën e nesërme, në kuadër të asaj që ai e cilëson si zbardhje të manipulimeve masive të zgjedhjeve të 11 majit nga mazhoranca.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorimin e dy mekanizmave të njohur në manipulimin e votës: “trenin bullgar” – një metodë e vjetër e blerjes dhe qarkullimit të votës – dhe një skemë që, sipas tij, i ngjan modelit të përdorur nga presidenti rus Vladimir Putin, ku fletët e votimit shpërndahen paraprakisht dhe votuesit shkojnë në qendra me to në xhep.

Berisha, foli edhe lidhur me procesin e rinumërimit të votave nga zgjedhjet e 11 Majit. Ai tha se rinumërimi i votave është kërkesë e kandidatëve e mbështetur nga PD për transparencë.

Sakaq ai theksoi se rinumërimi nuk është një kërkesë primare e PD.

“Kërkesa e PD ka të bëjë me legjitimitetin  e zgjedhjeve dhe unë mund t’u them se 3 janë linjat kryesore të kontrollit që ne bëjmë.

Së pari kamerat, që kanë zbuluar në mënyrë të përsëritur trenin bullgar. Kanë zbuluar akte më të shëmtuara që damkosin farsën, një proces i paligjshëm.

E dyta, janë administrimi i qendrave të votimit, kutive të votimit, materialeve të votimit dhe proces verbaleve të votimit. E treta, janë plotësimi i kërkesa të kandidatëve tanë që kanë pretendimet e tyre dhe ne kurrë nuk mund që të mos mbështesim transparencën”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë