Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sfidoi ditën e enjte ish-Kryeministrin Sali Berisha. Sfida ishte e thjeshtë; dalja ballë për ballë në një debat televiziv për të shpalosur argumentat e njëri-tjetrit pro dhe kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës.
Ftesa u refuzua në një tjetër media nga ana e ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe me një fjalor të ashpër.
“Po të jetë për debat, para një argati shqipfolës albanofob dhe padronit të tij në Beograd, për ballafaqim do të preferoja këtë të fundit”, citohet Berisha nga gazeta Express.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka reaguar ende në lidhje me këtë deklaratë të Berishës, ndoshta edhe i zënë me debatin e brendshëm në Prishtinë për çështjen e taksës ndaj mallrave serbe, që rrezikon që të rrëzojë qeverinë.
Por, ai që i doli në krah Presidentit të Kosovës dhe iu përgjigj Sali Berishës ishte Edi Rama. Kryeministri i Shqipërisë i kujtoi akuzat e së shkuarës paraardhësit të tij.
“Furnizoi me naftë tanket e Kasapit të Beogradit. Bëri thirrje për të refuzuar Rambujenë. Shpalli terroristë marksistë-leninistë luftëtarët e UÇK. Ibrahim Rugova s’denjoi t’i fliste më derisa vdiq. Sot e quan Presidentin e Kosovës argat albanofob të Beogradit! Vesi del me shpirtin!”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Postimi i pazakontë 70 minuta pas mesnate ishte epilogu i një ditë të mbushur me sharje e akuza që rikthyen diskursin politik në Shqipëri në ditët më të ashpra të tij. Përplasja nisi në sallën e Kuvendit, me terma “skizofren”, “imoral”, “rrugaç”, “vrasës” e të tjera dhe vijoi në mbrëmje me të njëjtat nota, por përmes kanaleve të ndryshme komunikimi; Rama përmes ERTV-së, Berisha përmes një ndërhyrjeje telefonike në emisionin “Opinion”.
Përplasja Rama-Berisha nuk është një risi, por risia është rikthimi i përplasjes Berisha-Thaçi. Presidenti i Kosovës dhe ish-Kryeministri i Shqipërisë debatuan ashpër në distancë në ditët e para të gushtit, atëherë kur Hashim Thaçi po shpaloste gjithnjë e më shumë idenë e tij për “korrigjim të kufijve”.
“Të pranosh idenë e ndarjes së Kosovës, në një mënyrë, apo në një tjetër mbështet idenë dhe përpjekjen e Beogradit për Serbinë e Madhe në kurriz të Kosovës. Në rajonin tonë, zona me tre komuna minoritare si Mitrovica janë disa dhe hapja e një precedenti që kërkojnë serbët në Mitrovicë do të minonte paqen dhe stabilitetin në mbarë rajonin”, shkruante Berisha në Facebook pas një takimi me kreun e Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa.
Përgjigjia nga Thaçi nuk vonoi dhe ajo ishte e ashpër. Me një gjuhë të fortë, Presidenti i Kosovës i kujtoi vitet e luftës dhe periudhën kur Sali Berisha ishte President i Shqipërisë, 1992-1997.
“Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike, veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione. Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës. Nuk i duhet këshillat e atyre që burgosën komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe komandantë të shquar si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste. Këta që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës. Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare”, përgjigjej ai.
Se çfarë do të prodhojë ky konflikt i rindezur, në të cilin këtë herë është përfshirë aktivisht edhe Edi Rama koha do ta tregojë, por e sigurtë është që nga kjo përplasje duart po “fërkohen” në Beograd.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





