Politike

Berisha nuk tërhiqet: Të martën në orën 12:00 protestë në Bulevard

Gazeta Si – Protesta e paralajmëruar e opozitës të martën e 6 dhjetorit, në të njëjtën ditë kur në Tiranë mblidhet samiti BE-Ballkani Perëndimor, do të mbahet në orën 12:00 të mesditës. Lajmin e dha kreu i demokratëve Sali Berisha gjatë një takimi me krerët e degëve të Tiranës mbrëmjen e të mërkurës.

Duke i ftuar të gjithë qytetarët në Bulevard, Berisha tha se  kjo protestë do të jehojë në të gjithë Evropën.

“Ne do të jemi në shesh, do të jemi në shesh kësaj radhe më të mobilizuar se kurrë. Sepse ditë pune është, sepse ora 12:00 është, por kur të thërret koha nuk ka asnjë apel. Kohës i përgjigjesh gjithnjë pa apel, – tha kreu i PD. – Ndaj dhe duhet t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës të gjithë biznesmenëve të Tiranës, të martën në 12:00 të gjithë në bulevard. U bëj thirrje biznesmenëve, në rast se nuk vini vetë, të mos pengoni punonjësit tuaj se kjo është një betejë ndër më të rëndësishmet. E themi këtu, kjo do jetë një protestë paqësore. Ne i dimë detyrimet që kemi për sigurinë, për mikpritjen dhe këto nuk i konfondojmë me asnjë lloj rrethane, por zëri ynë do jetë i pranishëm aty”.

Berisha u shpreh i bindur se kjo protestë do të mirëpritet në mbarë opinionin europian dhe botëror.

“Edi Rama de fakto ka shkatërruar dhe shkatërron këtu vlerat Europiane. Edi Rama është absolutisht përgjegjës penalisht për vepra që shkojnë në dhjetëra e dhjetëra vjeçarë që meritojnë dënime. Unë kam bindjen se protesta jonë do të mirëpritet në mbarë opinionin Europian dhe botëror. Dhe nga liderat e këtyre demokracive, që për arsyet e tyre janë të mirëseardhur në Shqipëri. Ne e kemi përshëndetur vendimin e tyre për të ardhur në Shqipëri”.

Berisha po ashtu u shpreh se 6 dhjetori do të jetë një protestë paqësore dhe se beteja vazhdon me protesta të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë