Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, pas mbledhjes së qeverisë nuk komentoi hetimet dhe masën e sigurisë që SPAK ka vendosur ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Ne nuk bëjmë asnjëherë komente, por respektojmë ndarjen e pushteteve. Kjo qeveri, kjo maxhorancë ka qenë ajo që ka themeluar, ka punuar që ky sistem i drejtësisë si Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme të funksionojë në kushtet më të mira. Janë veprime proceduriale, nuk komentojnë dhe nuk bëj asnjë përjashtim për rastin në fjalë. Nuk jam as juriste, jam anëtare e qeverisë, kam qenë deputete kur është krijuar ky sistem dhe kemi besuar që ai të funksionojë i lirë. Të respektojmë pavarësinë në sistemin e drejtësisë. Të presim të gjithë me durim dhe besim punën që bëjnë përfaqësuesit e SPAK”, u shpreh Kumbaro.
Këtë të mërkurë do të mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, për çështjen “Partizani”.
Seanca për ish-kryeministrin është vendosur të mbahet në orën 14:30.
Në seancën e djeshme, Berisha nuk u paraqit në GJKKO, por u përfaqësua nga avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjezi.
Vetë ish-kryeministri deklaroi dje në një konferencë me gazetarët se nuk shkon në gjykatë nëse nuk i hiqet masa “detyrim paraqitje” për të cilën pretendon se është antikushtetuese.
Berisha dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin.
SPAK pretendon se Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër, ka favorizuar procedurat e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” dhe përfitues i drejtpërdrejtë ka qenë Malltezi.
Në tokën e ish-kompleksit “Partizani”, Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., ka kryer ndërtime dhe përfitimet llogariten në shumën 672 miliardë lekë ose 5 milionë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




