Politike

Berisha: Në një fshat të Elbasanit u aplikua ‘treni bullgar’

Nga Gazeta ‘Si’- Sali Berisha, në një konferencë për mediat publikoi pamje që sipas tij tregojnë realizimin e “Trenit Bullgar” në 11 maj.

Kreu i Partisë Demokratike ndërsa i konsideroi sërish zgjedhjet një farsë elektorale, pretendoi se në 11 maj u përdorën të gjithë metodat për manipulimin e tyre.

Ai paraqiti një video ku sipas tij fletët e votimit merreshin dhe nxirreshin jashtë qendrës dhe pasoheshin tek votuesit e tjerë duke garantuar votën për Partinë Socialiste.

“Këta janë një grup kriminal brenda qendrës së votimit, komisionerë të partisë së krimit.Qendra e votimit është në një kafene, shikojeni…Ja fleta e votimit…Ja, merr vulën e vulos fletën e votimit. Si në filma, sikur ta kishin xhiruar.

Tani vjen me vulën e dytë këtu. E vulos. Tani po fsheh krimin. E fut në banak poshtë fletën e votimit.

Me gjakftohtësi të paparë. Është po ky… tani e nxjerr fletën e votimit, do e çojë në destinacion. Shikojeni, ia dha tjetrit jashtë qendrës”, tha Berisha.

Berisha tha gjithashtu se PD ka informacione që para zgjedhjeve të 11 majit, në një qendër elektorale të Partisë Socialiste, u vendosën topa të mëdhenj me fletë votimi.

Kjo qendër sipas Berishë u vizitua fshehtas edhe nga kryeministri Edi Rama, 3 ditë para se të vendoseshin topat e fletëve të votimit.

Pse quhet bullgar?

Sepse kjo metodë u dokumentua gjerësisht për herë të parë në Bullgari pas viteve ’90, gjatë zgjedhjeve me akuza masive për manipulime. Më vonë u përhap në shumë vende të Ballkanit dhe të Europës Lindore.

Në Shqipëri, termi është futur në zhargonin politik, gazetaresk dhe opozitar, për të përshkruar çdo formë zinxhir manipulimi të organizuar të votës, sidomos në zona të caktuara ku shitet ose kontrollohet vota në mënyrë masive. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë