Politike

Berisha në arrest shtëpie/ Basha: Keqardhje e thellë por solli kosto. PD të lërë pas të shkuarën!

Nga Gazeta ‘Si’-  Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një konferencë për mediat pas disa muajsh mungese i është përgjigjur deklaratës së djeshme të kryeministrit Edi Rama sa i takon mos-interesimit të opozitës për nisjen e punës së Komisionit bipartizan për Reformën Zgjedhore.

Basha tha se deklarata e Ramës gjatë ditës së djeshme është vetëm një alibi për t’ju shmangur përgjegjësisë ndërsa shtoi se PD është gati të nisë procedurat për të mbledhur sa më parë komisionin e Reformës Zgjedhore.

“PD ka shpalosur prioritet duke depozituar disa projektligje. Pas depozitimit të paketës tonë për reformën zgjedhore, kemi pasur premtime për mbledhjen e komisionit të reformës. Dje dëgjuam kryeministrin që iu rikthye lojës së vjetër me reformën. Ka një komision bipartizan për reformën. Opozita është e përfaqësuar plotësisht

Ne mbetemi të hapur për plotësime rreth paketës tonë të propozimeve, por ne besojmë se paketa jonë adreson në mënyrë shteruese problemeve me reformën zgjedhore. Shqipëria një zonë vendore sjell barazinë e votës.Alibitë kanë rënë dhe sot thirrja ime në emër të PD është komisioni i reformës zgjedhore të nisë nga puna. Ky nuk duhet të jetë një vit alibish, por një vit ku të bashkohemi dhe ti japim shqiptarëve një shtet të tyre. PS të lerë mënjanë çdo alibi e t’i japim shqiptarëve një reformë zgjedhore”, tha Basha.

I pyetur lidhur me arrestin shtëpiak në të cilin është vendosur ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, Basha u shpreh se ndjente keqardhje në rrafshin personal. Megjithatë, ai shtoi se secili duhet të mbajë përgjegjësitë për zgjedhjen që ka bërë dhe theksoi se PD dhe opozita duhet të ecë para.

“Kam 2 reagime. Në rrafshin personal nuk më vjen mirë, por më vjen keq që një njeri me të cilin kam bashkëpunuar për një kohë të gjatë të përfundojë këtu. Por në fund secili bën zgjedhjen e vet në jetë dhe të marrë përgjegjësinë për zgjedhjen që ka bërë. Kjo është njëra anë e kostos që sjellja e tij i solli të gjithëve, familjes tij, PD-së dhe vendit. Në rrafshin personal, keqardhje e thellë.

Nga ana tjetër, PD dhe opozita duhet të ecë para, jo të shkelë mbi të shkuarën, por të ecim përpara dhe përgjigja zyrtare është që në çdo rast qëndrimi i PD është që drejtësia të bëjë punën e vet e papenguar dhe çdo politikan në funksion të drejtësisë, duke filluar dhe nga unë dhe për këtë arsye kam çuar në parlament propozimin për heqjen e imunitetit. Për këdo që të kërkohet heqja e imunitetit, ne do e votojmë në parlament”, u shpreh ai.

Ai deklaroi se arsyeja e mungesës në seancën plenare ku u votua për heqjen e imunitetit të Sali Berishës pas kërkesës së SPAK, ishte situata në të cilën ndodhej Kuvendi për shkak të kaosit të krijuar nga Rithemelimi. Megjithatë, nënvizoi se qëndrimi i PD u bë i qartë nga Enkelejd Alibeaj në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku dhe doli me një raport përmes të cilin rekomandonte heqjen e imunitetit.

Lidhur me vendimin që mori për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së pasi u shpall non-grata, Basha tha se e vetmja gjë që i kishte mbetur peng ishte mirënjohja ndaj ish-kryeministrit.

“Sa kam punuar unë me Berishën nuk kanë punuar këta, sa jam kujdesur për të ruajtur imazhin e tij... por ishte një moment që duhej zgjidhja mes mirënjohjes që ishte e vetmja gjë që më mbajti peng dhe nevojës për të lëvizur përpara. Po të mendoja për veten time, sot nuk do kishte PD euroatlantike, properëndimore”- shtoi Basha.

Mandej ai thumboi deputetët demokratë të cilët iu bashkuan grupi të Rithemelimit, duke thënë se në asnjë moment nuk kanë pasur interes për Sali Berishën por "kanë pasur interesa personale lidhur me renditjen e tyre në listën e kandidatëve për deputetë."

"Fajin më të madh e kanë ata që bënë sikur shkuan tek Berisha se iu digjte barku për të por në fakt janë njerëzit që e kanë anatemuar pas krahëve për vite me rradhë. E dimë se nuk kanë shkuar atje as për Berishën e as për demokratët, kanë shkuar se nuk donin të ishin të tetët por të tretët, kanë shkuar se besonin se ai stan kishte bulmet më të mirë. Këto janë vendime që i paguajnë sot demokratët”- tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë