Politike

Berisha teston ‘dyert’ e PD. Mbledh Rithemelimin dhe u mbivendoset vendimeve të Alibeajt: Të kthehemi sa më shpejt në normalitet

Sali Berisha mblodhi simbolikisht Komisionin e Rithemelimit në selinë e Partisë Demokratike, jo më shumë për vendimmarrje, se sa për t’u siguruar se dyert e partisë do t’i gjente sërish hapur, ashtu si në mesditë dhe për të përçuar një mesazh te kundërshtarët e tij brenda partisë për të njohur atë që ai e quajti gjatë konferencës për media më herët si ‘realiteti i ri dhe i pandryshueshëm’.

“Asnjë moment nuk duhet humbur qe PD t’i rikthehet normalitetit dhe secili të mendojë dhe punojë për opozitën”, ka deklaruar Berisha para anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit.

Edhe vendimmarrja e parë Komisionit ishte simbolike, ku u vendos që të hiqen dyert e blinduara dhe të sistemohet çdo zyrë dhe ambient në Partinë Demokratike në mënyrë që të vijojnë punën normalisht deputët dhe funksionarët e tjerë të PD.

Vendimi për hapjen e dyerve të blinduara është një vendim i ri i Komisionit, por jo i selisë. I njëjti vendim u dha edhe nga kreu i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj pas mbledhjes së parë të grupit parlamentar pas dorëheqjes së Lulzim Bashës. Por, edhe në këtë rast simbolika ka rëndësi; Rithemelimi në këtë rast i tregon Alibeajt dhe mbështetësve të tjerë të Bashës në seli, se është Komisioni ai që drejton partinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja për kryetar dhe gjithë strukturat e reja drejtuese.

Sali Berisha tha në konferencën për shtyp pas takimit me Enkelejd Alibeajn dhe Gazment Bardhin se me urgjencë pas marrjes së vulës nga ana e Gjykatës së Tiranës, është ngritja e strukturave dhe forumeve të Partisë Demokratike, që sipas statutit të 11 dhjetorit janë shkrirë që të gjithë.

Kjo është detyra parësore që Berisha i caktoi Komisionit të Rithemelimit, pavarësisht se nga mbështetësit e Bashës në parti vendimi i Gjykatës së Tiranës kundërshtohet, edhe përmes një kallëzimi penal të dorëzuar në SPAK nga ana e Gazment Bardhit.

Berisha u prit në oborrin e partisë nga një grup mbështetësish, ndërsa në hyrje dhe korridoret e selisë ndodheshin edhe deputetët mbështetës të tij, si Belind Këlliçi, Edmond Spaho, Edi Paloka e të 28 anëtarët e Komisionit të Rithemelimit.

Për zgjedhjet e kryetarëve të degëve, Berisha tha në konferencën e mëhershme për shtyp se kishte vendosur t’i shtynë nga data 6 në 30 prill, për t’i dhënë kohë, siç tha, pajtimit dhe bashkimit të Partisë Demokratike.

Sipas Berishës, me rëndësi tani është që pala e Bashës të pranojë realitetin, që sipas tij është i pandryshueshëm, duke nënkuptuar se rimarrja e PD-së prej tij nuk mund të sfidohet më tej, pavarësisht se pala tjetër ka ndërmarrë një fushatë juridike për të kundërshtuar vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë