Politike

Berisha lexon rezolutën e IDC-CDI: Denoncon farsën elektorale të 11 majit

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha lexoi rezolutën e Internacionales Demokrate të Qendrës (IDC-CDI) lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri. 

Sipas tij, kjo organizatë ndërkombëtare, e cila përfshin 108 parti politike nga e gjithë bota, përfshirë Partinë Popullore Evropiane dhe partitë anëtare të saj, ka miratuar një rezolutë që denoncon procesin zgjedhor në Shqipëri si një “farsë elektorale”.

Berisha deklaroi se kjo organizatë evidenton shkelje të standardeve ndërkombëtare dhe kritereve të Kopenhagenit.

Sipas tij, në rezolutën e miratuar më 30 maj 2025 në Abixhan, IDC-CDI thekson se zgjedhjet u shoqëruan me “presion sistematik, frikësim dhe blerje të votës; keqpërdorim masiv të burimeve publike për qëllime elektorale, kontroll të qeverisë mbi median dhe censurë politike, përfshirë ndalimin e platformës TikTok, si edhe manipulim të procesit zgjedhor.”

Berisha thotë se në këtë rezolutë kërkohet formimi urgjent i një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve të reja dhe zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

“Kjo rezolutë është një apel, një kushtrim për popullin opozitar për të luftuar dhe sakrifikuar, për të paguar çdo çmim për votën e lirë, duke i garantuar se në këtë betejë nuk janë vetëm, por janë së bashku me mbarë partitë e qendrës dhe qendrës së djathtë në Europë dhe në botë. 

Kjo rezolutë i jep goditje fatale narkoqeverisë shqiptare, Edi Ramës, altoparlantëve të tyre në media, të cilat si mercenarë të fjalës së lirë, përpiqen t’u shesin shqiptarëve farsën për proces zgjedhor.
Përpiqen të justifikojnë, përpiqen të mashtrojnë dhe të dezinformojnë shqiptarët me të njëjtin pasion patologjik që kanë bërë gjatë fushatës elektorale dhe para saj”, tha ai.

Ai tha gjithashtu se kjo rezolutë e miratuar, denocon sipas tij edhe SPAK-un.

“Kjo rezolutë denoncon me forcën më të madhe Skapin e partisë, këtë organ politik të narkodiktaturës, e cila me urdhër politik persekuton liderët e opozitës shqiptare dhe refuzon të hetojë krimet monstruoze elektorale, pra, ka vendosur pandëshkueshmërinë.

Kjo rezolutë denoncon policinë dhe të gjitha institucionet e këtij shteti, që në dhunim flagrant të Kushtetutës dhe ligjeve, u rreshtuan si institucionet e partisë shtet”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë