Prokuroria e Posaçme ka marrë zyrtarisht të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrrin e tij Jamarbër Malltezi me akuzën e korrupsionit pasiv lidhur me procesin e privatizimit të klubit të futbollit ‘Partizani’.
Në perfundim të dosjes me 499 faqe thuhet se gjatë procesit të privatizimit, shtetit i është bërë një dëm ekonomik në vlerën 4.3 milionë euro për shkak të zhvlerësimit të ndërtesave që ndodheshin në tokën e cila nga sportive ishte kthyer në tokë ndërtimi.
“Sipas raportit të vlerësimit të mbajtur nga ekspertët Elvira Aliaj dhe Sali Preçi e konfirmuar edhe nga Komisioni i vlerësimit në procedurën e privatizimit të klubit Shumësportësh Partizani, vlera e ndërtesave është 43.254.740 lekë, ndërkohë sipas aktit të ekspertimit të kryer nga ekspertët e caktuar nga prokuroria, vlera shumatore e ndërtimeve është 388.713.439 lekë, pra 345.458.689 lekë më shumë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
“Sipas raportit të vlerësimit të mbajtur nga ekspertët Elvira Aliaj dhe Sali Preçi në lidhje me vlerësimin e Klubit të Futbollit Partizani, ka rezultuar se vlera e ndërtesave është 10.108.780 lekë e konfirmuar nga grupi i vlerësimit, kurse nga ekspertët gjatë hetimit është vlerësuar 101.094.535 lekë ose 90.985.755 lekë më shumë. Pra shtetit nga këto privatizime i ka ardhur një dëm në vlerën 436.444.444 lekë”.
Dy prokurorët e dosjes, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai shpjegojnë si u manipulua procesi i vlerësimit të ndërtesave të kompleksit sportiv 'Partizani' mbi tokën e familjes Begeja të cilat u shembën për të ngritur kullat por që për ta duhej të ishte dëmshpërblyer shteti.
Ndërtimi i kullave, sipas dosjes, nuk është bërë vetëm në tokën që u takonte si pronarë, por dhe në një sipërfaqe tokë shtet pa i paguar asnjë lekë.
“…Nga interpretimi i kontratës është shitur e gjithë prona, përfshirë edhe sipërfaqen prej 857 m2 me kushtin që ta bëjnë brenda 30 ditëve pas konfirmimit nga ZRPP. Kjo pagesë prej 22 956 459 lekë nuk është bërë asnjëherë, duke sjellë kështu dëm në interesat e shtetasit" shkruhet në dosje
Më 11 shtator 2024 SPAK mori të pandehur ish kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Një ditë më pas për këtë dosje u morën nën akuzë Fatmir Bektashi, ndërtuesi dhe ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja.
SPAK akuzon Berishën se gjatë kohës që ka qenë në qeverisje pas fitores së zgjedhjeve të 2005 ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga ish pronarët e truallit, për privatizimin e ish kompleksit Partizani ku më pas u ngrit kompleksi pallateve. Malltezi është marrë i pandehur për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, të kryer në bashkëpunim me ish kryeministrin si dhe “pastrim parash".
Ndërkohë ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, një nga trashëgimtarët e truallit së bashku me dhëndrin i ish-kryeministrit Sali Berisha, të dy të pandehur, rezultojnë të kenë qenë pronarët në hije me 60 për qind të aksioneve në kompaninë e ndërtimit “Homeplan”, që ngriti 19 kulla në kompleksin Magnet në tokat e “ish Klub Partizanit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.