Lajme

Berisha: Gurra zbuloi lidhjet e mafies me shtetin, ndaj e vranë

Policia dhe Prokuroria nuk kanë ende asnjë emër konkret si të dyshuar që qëndron pas ekzekutimit mafioz të avokatit Revik Gurra në ngjarjen e rëndë të ndodhur në Elbasan mbrëmjen e së shtunës. Por, Sali Berisha është i sigurtë se ekzekutimi është një vepër shtetërore.

“Të dhënat e deritanishme flasin se kemi të bëjmë me një vrasje shtetërore tipike për narkoshtetin. Avokati Gurra, penalist i njohur mbronte disa nga bandat më të rrezikshme të partisë së krimit, kurse në Elbasan ai ishte avokat i palës kundërshtare të bandës që është një me pushtetin”, shkruan përmes rrjeteve sociale, ish-Kryeministri.

Berisha jep edhe arsyet, sipas tij, që ccuan në ekzekutimin e avokatit të ndjerë.

“Në të dy rastet, duket se ai për shkak të detyrës mësoi edhe sekrete të shtetit të mafies, lidhjeve të qeveritarëve me drogën, vrasjet, trafiqet dhe për qeveritarë që ishin peng i lidhjeve të tyre me krimin. Prandaj dhe shkaku i ekzekutimit të tij mafioz shtetëror qëndron me sa duket para së gjitha te sekretet që ai mësoi për shkak të profesionit, të cilat nuk rrezikonin banditët dhe vrasësit ordinerë, por shefat e tyre në pushtet dhe qeveri”, vijon ai.

https://www.facebook.com/SaliBerisha/posts/1238555749638663

Me këtë argument, ish-Kryeministri shpjegon edhe heshtjen e qeveritarëve për këtë krim. “Ata heshtin sepse duket se ndjehen të lehtësuar. Avokati, për shkak të detyrës mësoi ato që kurrë nuk duhej t’i dinte për bajlozët e narkoshtetit. Shkaku i vërtetë i këtij krimi të shëmtuar fshihet thellë në arkivat e zeza të narkoshtetit të Edvinit”, mbyll reagimin e tij, Sali Berisha.

Si për rastësi dhe duke shpërfillur kërkesën e policisë, ky postim i ish-Kryeministrit është bërë pas një deklarate për mediat të Policisë së Shtetit. Kjo e fundit ka reaguar lidhur me disa postime të tij, në të cilat përmes “qytetarit digjital” denoncohet vetë Policia e Shtetit.

“Policia e Shtetit do ta adresojë në rrugë ligjore këtë tentativë të papranueshme dhe do të mirëpresë hetimet që do të provojnë bazën e çdo akuze nga ana e z.Berisha. Kjo është e rëndësishme jo vetëm në respekt të opinionit publik, por dhe për vetë Policinë e Shtetit”, thuhet në njoftim.

Policia është shënjestruar nga Berisha për sjelljen e saj ndaj protestave të opozitës, ndaj protestës tek Astiri dhe protestës së studentëve. Të hënën, Berisha postoi një përmbledhje të denoncimeve të “qytetarëve digjitalë” ndër vite. Ai publikon listën me emra të drejtuesve kryesorë të Policisë së Shtetit, me origjinë nga Tepelena, që e cilëson si kryeqytetin europian të kanabisit.

https://www.facebook.com/SaliBerisha/posts/1238016093025962

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë