Nga Gazeta Si- Protesta e katërt kombëtare e opozitës është përsëritur në skenar.
Njësoj si në protestat paraardhëse, pas mbarimit të fjalimit të kryedemokratit Sali Berisha, protestuesit kanë filluar të hedhin molotov dhe fishekzjarre drejt Kryeministrisë.
Më pas, protestuesit janë nisur në marshim drejt Kuvendit, ku këtë herë ka vendosur ti shoqërojë edhe Berisha, i cili ka vendosur maskë kundragaz. Me të mbërritur, protestuesit kanë rinisur me hedhjen e molotovëve dhe fishekzjarreve drejt Kuvendit. Policia është përgjigjur fillimisht me ujë e më pas me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, edhe pse paraditen e sotme ka deklaruar se nuk do të marrë përsipër protestën.
Molotovi dhe gazi lotjsellës nuk ka kursyer as besimtarët myslimanë të cilët ndodheshin brenda Xhamisë së Namazgjasë, pas orëve të agjërimit në Muajin e Shenjtë të Ramazanit. Shumë besimtarë janë detyruar të largohen nga Xhamia.
Për median, Berisha tha se “Edi Rama është i pashpresë” dhe do të rrëzohet njësoj siç u rrëzua kryetari i bashkisë Erion Veliaj.
“Protestuesit më paqësorë. Policët po kalojnë çdo vijë të kuqe. Do marrin ndëshkim shembullor”, tha Berisha. Pas marshimit, ai është rikthyer në seli. Ndërkohë hedhja e molotovëve dhe gazit lotsjellës ka vijuar për disa orë, duke u shpërndarë deri në Rrugën e Elbasanit dhe selinë e PD-së.




Edhe pse ishte paralajmëruar të niste në orën 18:00, protesta nisi më shumë se 30 minuta më pas, pasi kryedemokrati Sali Berisha doli nga selia e PD-së dhe iu bashkua protestuesve.
Në fjalën e tij, Berisha tha se 20 shkurti është dita në të cilën 35 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarë të mbledhur në qytetin e studentëve, në mbështetje të grevës së studentëve liberatorë, grevës së urisë u çlirua kombi dhe vendi nga kulti i satanit.




“Në një betejë paqësore që ka shndritur dhe do të shndrisë gjithmonë në historinë e revolucionit demokratik, në të cilin përmbysën shtatoren, përmbysën kultin e satanit, kultin e Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pasluftës”, tha Berisha, duke shtuar të gjithë ata që ishin në shesh, por mbarë qytetarët shqiptarë, kurrë nuk do mendonin se 35 vite më vonë do ndodheshin para një regjimi.
“Sigurisht, jo të njëjtë në mënyrë identike, por fatkeqësisht shumë të ngjashëm në shumë e shumë aspekte. Nuk mund të besonin se 35 vite më vonë, pushtet e vendit do ishin në duart e një krimineli të pashembullt në histori pas Enver Hoxhës. Pushtetet e vendit do ishin në duart e një tradhtari që do nxijë gjithmonë në historinë kombëtare për aktet e tij të tradhtisë ndaj kombit dhe vendit”, tha Berisha.

Ai tha se askush nuk do e besonte se vendi do ishte në duart e një njeriu që do plaçkiste Shqipërinë sa askush tjetër në historinë e tij.
Berisha shtoi se e vërteta është se sot nderohet kjo datë me ndjenjën e mirënjohjes më të thellë, por edhe me frymëzimin më të madh, “me zotimin tonë para shqiptarëve se Edi Rama do t’i ketë kohërat e numëruara”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje