Politike

Berisha: Belgët do të arrestojnë Bashën! Rama nuk ia mbyll dot dosjen “Toyota”

Pas marrjes në pyetje për 2 orë e 20 minuta nga grupi i prokurorëve belgë në godinën e SPAK-ut në Tiranë, Lulzim Basha foli para mediave duke shpjeguar, sipas tij, statusin mbi të cilin ishte marrë në pyetje për çështjen e “Toyota Auris”.

“U mora në pyetje si person në dijeni”, tha Lulzim Basha para gazetarëve.

Por, Sali Berisha nuk mendon kështu. Ish-Kryeministri deklaroi një ditë më parë se prokurorët belgë do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje dhe Lulzim Basha do të merret i pandehur. Këtë pohim e përforcoi këtë të shtunë nga Rrogozhina, ku i këshilli pasaardhësit të tij në krye të PD që të gjejë një avokat të mirë, sepse e presin ditë të vështira.

“Ka një dosje që nuk e mbyll dot Edi Rama dhe kjo është dosja belge. I them Mister Bravës, bëj fotografi me cilin të duash, po dosja e Belgjikës dhe lidhja jote me organizatën kriminale do të dalë në dritën e diellit. Nuk ka forcë në botë që pengon prokurorinë dhe hetimin belg”, u shpreh ai.

Berisha tha se Basha është nën hetim, ndërsa shtoi se kreu i PD-së u tha belgëve se nuk kanë juridiksion që ta hetojnë.

“Doli e tha se kam besim të madh te njerëzit e ndershëm të BKH dhe SPAK. I thotë palës belge që nuk keni juridiksion të më hetoni mua. I them që kanë të drejtë të të hetojnë dhe të të arrestojnë, sepse ka një konventë europiane, në të cilën Shqipëria është palë dhe është e detyruar të ofrojë çdo ndihmë juridike. Prandaj lëri ato”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë