Drejtësia

Berisha, akuza SPAK-ut: Nuk ekzekutoi 250 urdhër-arreste, njoftoi krerët e karteleve

Gazeta Si – Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në ambientet e SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”, të vendosur nga gjykata, pasi është marrë si i pandehur për aferën e klubit sportiv “Partizani”.

Pasi doli nga ambientet e e SPAK-ut, Berisha dha edhe një deklaratë pë mediat, ku nuk i kurseu akuzat ndaj kryeprokurorit të SPAK-ut, Altin Dumani.

“250 urdhra-arreste s’janë ekzekutuar, janë njoftuar krerët e karteleve. U bëj thirrje gazetarëve të merren me informacionet e këtij institucioni, të mos bien pre e mashtrimeve të tyre. 34 ton kokainë, 6.5 miliardë euro. Asnjë gram nuk është kapur në Shqipëri, dezinformojnë, mashtrojnë se u kapën 17 tonelata. Theksova këtë moment, se nëse Altin Troplinin po e dekoronte Elvis Doçi, pikërisht për këtë bashkëpunim kriminal të ngushtë, mes personave të caktuar, një pjesë është edhe policia. Rastet janë flagrante, që akuzohen vetë këta prokurorë, kjo paraqet një problem madhor për rendin dhe sigurinë. Padrinot janë të lirë”, deklaroi Berisha.

Dosja “Partizani” do të gjykohet më 18 shtator, ku përfshihen akuzat për korrupsion e pastrim parash, për Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë.

Berisha akuzohet se gjatë kohës që mbante postin e kryeministrit ka ndërmarrë veprime konkrete për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, nga të cilat ka përfituar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, në ndërtimin e pallateve mbi truallin e ish-kompleksit sportiv Partizani.

Edhe vetë Malltezi përballet me akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 5.4 milionë euro përmes një projekti ndërtimi, përfitime të cilat lidhen me vendime të marra nga qeveria e drejtuar në atë kohë nga vjehrri i tij


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë