Nga Gazeta ‘Si’- Sali Berisha tha se Partia Demokratike dhe opozita po përgatisin ‘luftë’ për mbrojtjen e të drejtës së votës të shqiptarëve.
Në një konferencë për media, kreu i PD pretendoi sërish se zgjedhjet elektorale të 11 majit ishin një farsë dhe akuzoi socialistët për vjedhje të tyre.
Madje, ai tha se për këtë, ka më shumë fakte se kurrë.
“Fakte dhe dokumente më shumë se kurrë. Me të gjitha kancelaritë e europiane dhe kongresin e senatin e SHBA do të kemi paraqitje dokumentesh dhe faktesh. Narkoregjimi i Tiranës nuk mund të përfitojë për kohë të gjatë nga kjo masakër zgjedhore që kreu”, tha Berisha.
Sipas tij, edhe raportet paraprake të ndërkombëtarëve, i kanë rrëzuar zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Unë shpreh vlerësimin tim për raportet paraprake të cilat de facto në parimin më themelor ndërkombëtar dhe kombëtar të zgjedhjeve, atë të barazisë së palëve, i kanë rrëzuar përtokë zgjedhjet”, tha Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se sipas tij është i gatshëm ta shndërrojë Shqipërinë në megaburg për të marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve.
“Nuk ka ndërgjegje njerëzore që mund të mohojë grabitjen e zgjedhjeve. E kemi parë edhe në 2001 që ka marrë urime. Ky është i gatshëm ta shndërrojë Shqipërinë në megaburgun e kontinentit për të marrë mbështetjen, por kjo nuk ecën sepse janë vende të lira ato”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe votat preferenciale në Tiranë, që vazhdojnë të numërohen, teksa përmendi Ilir Metën, presidentin e Partisë së Lirisë, i cili kandidoi në listë të hapur, por nuk siguron votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.
Berisha tha se sipas tij, Ilir Metës “Po i bëhet lufta më e egër që i është bërë ndonjë njeriu ndonjëherë, nga armiku kryesor i votës së lirë, Edi Rama.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.