Futboll

Benzema padit ministrin e Brendshëm francez: Fëmijët e mi akuzohen se kanë baba terrorist

Gazeta Si – Karim Benzema merr sërish vëmendjen. Pas pezullimit nga Al-Itihad në grumbullimin e Dubait, sulmuesi ka paditur për shpifje ministrin e Brendshëm francez, Gerald Darmanin.

Pas një postimi në X të bomberit në mbështetje të banorëve të Gazas, Benzema u akuzua nga Darmanin se ka lidhje të njohura me ‘Vëllezërit Muslimanë’, një organizatë islamike e konsideruar terroriste në disa vende. Deklarata që nuk i kanë pëlqyer aspak ish-lojtarit të Real Madrid dhe që e ka marrë shumë seriozisht çështjen, duke e çuar në gjykatë.

“Nuk dua ta importoj konfliktin izraelito-palestinez në Francë, por nuk kuptoj si mund të ndezim më shumë flakët me deklarata të rreme, – shkruan Benzema në denoncimin e tij prej më shumë se 90 faqesh. – Për sa më përket, ju kujtoj se kam zgjedhur ta vazhdoj sportin në Arabinë Saudite, ku ‘Vëllezërit Muslmanë’ nuk konsiderohen terroristë”.

“Ato deklarata të bëra me aq lehtësi, të pasakta, më kanë vënë në rrezik mua dhe familjen time, – vazhdon teksti që u referohet fjalëve të ministrit Darmanin dhe njerëzve afër tij. – Fëmijët e mi janë akuzuar se kanë një baba terrorist”.

“Një ministër i Brendshëm nuk mund të thotë gjëra të pavërteta, – thotë gjithashtu sulmuesi. – Por nuk ka rëndësi, është në lojë vetëm meskiniteti, egocentrizmi, oportunizmi politik, indiferent ndaj pasojave dhe ndarjeve. Kemi nevojë urgjente për harmoni dhe përulësi për të gjetur zgjidhje paqësore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë