Mendim

Bën më shumë zhurmë një pemë që bie se një pyll që rritet

Nga Meri Lika – Një proverb thotë: “Bën më shumë zhurmë një pemë që bie se një pyll që rritet” dhe kjo është arsyeja pse ata që zënë pozicione me dukshmëri mediatike jo vetëm që janë më të ekspozuar ndaj kontrollit të medias, të njerëzve, të opinionit publik, por gjithashtu, për më tepër, duke qenë më të dukshme, veprimet e tyre të korrupsionit janë më të vështira për t’u fshehur.
Nisur nga një artikull i Irena Beqiraj, publikuar në Gazetën “Si”, “Një bashki e vogël në Venezuelë edhe pse e largët mund të na shtyjë të mendojmë ndryshe!” më dha pikënisjen për “zhurmën që bën një pemë kur bie”.
Në çdo fushatë zgjedhjesh ndizet shpresa se, një rrotacion dhe një zëvendësim i disa politikanëve nga disa të tjerë, me siguri do të na çojë në një administrim më të mirë të fondeve publike dhe ky administrim do të jetë në një mënyrë tjetër, dhe korrupsioni, klientelizmi, nepotizmi dhe fatkeqësi të tjera të rrënjosura në aparatin shtetëror mund të marrin fund.
Sikur të mendonim se korrupsioni është vetëm një gjendje e njerëzve të korruptuar dhe të mos e kishim kuptuar që shpesh është më shumë një sistem, fryt i shumë viteve të bërjes së gjërave keq, i instaluar në fijet elementare të strukturës shoqërore; atëherë nuk do ta kuptonim se ai, thjesht, është bërë një mënyrë jetese e shumë njerëzve.
Për më tepër, në të gjithë botën, jo vetëm në vendin tonë, fakti i paraqitjes para votuesve si të ndryshëm, të rinj, apolitikë, pa të kaluar, etj., ka garantuar njëfarë aksesi në pozitat e pushtetit; sepse ata që fajësojnë “të mëparshmit” për katastrofën, kanë zbuluar se të treguarit e tyre si krejtësisht të ndryshëm i bën ata të krijojnë shpresë tek votuesit. Por pas një kohe sundimi, gjithnjë e më shumë shoqëri, kanë zbuluar se megjithëse, për të përdorur një metaforë, “e kanë ndryshuar djallin e tyre” në njëfarë mënyre, ata mbetën në të njëjtin ferr.
Pas një kohe politikanësh “të ndryshëm”, të cilët thonë se nuk janë të njëjtë si gjithmonë, por që në shumë raste duket se bëjnë të njëjtën gjë si gjithmonë, po na bëhet e qartë se rrënja e problemit të korrupsionit nuk është as ideologjike: kemi pasur të korruptuar nga gjithë spektri i ofertës politike; as organike: korrupsioni është instaluar pavarësisht nga ndonjë mekanizëm kontrolli që dikush dëshiron të vërë në lëvizje në shoqëri. Gjithsesi ky është një përgjithësim.
Për më tepër, korrupsioni nuk duket të jetë prerogativë e zyrtarëve publikë, veçanërisht kur konsiderohet se nuk ka të korruptuar pa një korruptues. Një proverb thotë se, bën më shumë zhurmë një pemë që bie sesa një pyll që rritet … dhe kjo është arsyeja pse ata që zënë pozicione me dukshmëri mediatike jo vetëm që janë më të ekspozuar ndaj kontrollit të medias, të njerëzve, të opinionit publik, por gjithashtu, për më tepër, duke qenë më të dukshme, veprimet e tyre të korrupsionit janë më të vështira për t’u fshehur.
Pikërisht për këtë arsye, për dukshmërinë e tij, korrupsioni i tyre është më serioz. Jo vetëm sepse ata kanë akses në fondet publike shumë delikate për mirëqenien e popullsisë: arsim, shëndetësi, siguri, por, mbi të gjitha, sepse forca e një skandali mbi një skandal tjetër bëjnë që korrupsioni të “kapilarizohet”, dhe mbërrin deri në shtresat më të thella të shoqërisë.
Pak a shumë, diçka e ngjashme ndodh tek historia e një të verbëri dhe një burri, kur ata morën një bistak rrushi dhe vendosën ta hanin sipas një pakti: secili do të merrte një kokërr në të njëjtën kohë. Derisa, në një moment të caktuar, i verbëri e godet burrin i cili, i befasuar, e pyet:

  • Përse më goditët?
    Dhe i verbëri përgjigjet:
  • Sepse ke filluar të marrësh kokrrat e rrushit tre nga tre …
    I befasuar burri e pyet:
  • Si e kuptove?
    I verbëri i përgjigjet:
  • Sepse unë fillova t’i marr kokrrat e rrushit tre nga tre dhe ti nuk më the asgjë!
    Pra, logjikisht, është e pamundur, kur korrupsioni është “kapilarizuar”, që dikush të jetë i gatshëm ta përballojë atë nëse ai vetë përfiton prej tij.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë