Nga Gazeta Si- Gazetaria ka qenë profesioni i tij i parë, profesion i cili e çoi drejt politikës. Gjithashtu librat dhe shkrimtaria janë jeta e tij, se paku prej 20 vitesh. Romani i tij i parë "Të jetosh në ishull" zgjoi në shoqëri njëfarë fanatizmi fetar. Letërsia që ai shkruan është fund e krye provokuese. Ben Blushi është ateist i shpallur, ku shprehet se Zoti jemi ne. Romani i tij i fundit "Parajsa artificiale" është sa akuzues dhe ironik, po aq dhe argëtues ku shpesh provokon dhe të qeshura. Ai ka shumë pyetje mbi universin, por më kryesoret mbeten: Ku është Zoti? A ekziston ai? I qartë dhe stoik për përgjigjen, këtë pyetje ai ua drejton lexuesve. Blushi gjithashtu ngre edhe disa pyetje që jo çdokush është dakord, si për shembull, pse Zoti na vendos kufizime, na thotë se duhet të vdesim në mënyrë që të prekim parajsën?
I pyetur nga Liridon Mulaj në podkastin “T’pa thana” se si ia del që të provokojë një shoqëri që nuk lexon, Blushi thotë se ai përpiqet të thotë vetëm të vërtetën, si ai e mendon dhe nëse njerëzit provokohen nga kjo, Blushit nuk i vjen keq.
Blushi tregon në podcast se pse zgjodhi të flasë për ferrin dhe parajsën, duke treguar edhe pse njëra i pëlqen më shumë se tjetra.
“E vetmja arsye pse kam shkruar më shumë për ferrin sesa për parajsën është sepse ferri është më interesant për t’u përshkruar.
“Nëse pyet njerëzit nëse shoqëria njerëzore sot i ngjan më shumë ferrit apo parajsës, shumica do thonë që i ngjan ferrit kështu që kam më shumë lëndë për të folur për ferrin”, tregon Blushi, duke shtuar se kur ka shkruar për ferrin 89 faqet e para, ai argëtohej, qeshte.
“Kur kam shkruar për ferrin, argëtohesha vetë, qeshja me gjërat që shkruaja. Ndërsa të parajsa nuk qeshja dhe prandaj është më e shkurtër”, thotë Blushi.
I pyetur nëse ka frikë duke qenë se del kundra shumë njerëzve me ato që shkruan, Blushi thotë se ka përjetuar agresion në jetën e tij nga disa komunitete fetare për shkak të asaj që ka shkruar “por skam pasur kurrë frikë. Nuk jemi në një mjedis aq të varfër sa të dhunohet dikush për atë që shkruan”.
Por, duhet thënë se pyetjet që Blushi ngre janë delikate, që mund të prekin njerëz dhe komunitete.
Ai, si ateist që është, nuk arrin të kuptojë se përse Zoti na vë kufizime ndërkohë që jetojmë, në mënyrë që të shkojmë në parajsë kur mund të kishte sjellë parajsën në tokë? Gjithashtu, përse ne qajmë kur dikush ndërron jetë kur në të vërtetë personi po shkon në parajsë, në një vend më të mirë se këtu ku jemi? Pse na vë çmim, vdis dhe pastaj shko në parajsë? Pse e kemi të pamundur të provojmë parajsën para vdekjes?
“Këto janë disa pyetje që nuk u kam gjetur kurrë përgjigje”, thotë Blushi.
I pyetur se cilën zgjedhin lexuesit e tij, ferrin apo parajsën, Blushi shprehet se nga bisedat që ka bërë, ka zbuluar se burrat duan të jetojnë në ferr, gratë në parajsë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.