Gazeta Si – Tre shqiptarë janë arrestuar në Belgjikë, pasi u kapën me të paktën 2 tonë kokainë në dy banesa të ndryshme në Anversë.
Sipas mediave belge, të cilat raportojnë lajmin, një sasi e tillë kokaine zakonisht sekuestrohen në anijet tregtare që mbërrijnë në portin e qytetit kryesisht nga Amerika e Jugut.
Zbulimi erdhi nga një kontroll rrugor në Luchthavenlei në Deurne në fillim të qershorit. Në datën 6 qershor, policia rrugore ndaloi njërin nga shqiptarët që përdorte një kartë identiteti të rreme. Hetimet e mëtejshme zbuluan se 35-vjeçari po transportonte 9 kilogramë kokainë në makinë.


Pasi u njoftuan, detektivët vendas nisën mbikëqyrjet operacionale dhe hetimet e çuan policinë në dy banesa: një në Borgerhout dhe një në Bouwel (Grobbendonk).
Javën e kaluar, më 27 gusht, hetuesit vunë re një furgon që lëvizte disa herë midis dy adresave. Në Borgerhout, disa kuti transporti u shkarkuan nga furgoni, duke bërë që policia të ndërhynte.
Njësia SWAT arrestoi shoferin e furgonit dhe detektivët kontrolluan mjetin dhe banesën, ku u sekuestrua më shumë se një ton kokainë, një sasi që shoqërohet më shpesh me operacionet portuale.
Menjëherë pas ndërhyrjes në Borgerhout, policia bastisi edhe ndërtesën e dytë të dyshuar në Bouwel. Një tjetër ton kokainë u gjet atje. Dy shqiptarë të pranishëm u arrestuan dhe mijëra euro u sekuestruan.
Totali prej të paktën dy tonësh kokainë përfaqëson sekuestrimin më të madh të drogës ndonjëherë për zonën policore të Anversës në Belgjikë.
Të tre të dyshuarit, me origjinë shqiptare, dolën para gjyqtarit hetues dy ditë më parë, i cili vendosi t’i lërë në burg, ndërsa hetimi i policisë lokale vazhdon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


