Gazeta Si - Ndryshime drastike të ligjit në Belgjikë: punonjëset e seksit do të jenë në gjendje të nënshkruajnë kontrata formale pune dhe të marrin të drejta punësimi në të njëjtin nivel me ato të profesioneve të tjera.
Ligji i ri, i pari i këtij lloji në botë, i miratuar nga Parlamenti, përcakton gjithashtu të drejtat themelore për punonjëset e seksit, duke përfshirë të drejtën për të refuzuar lirisht klientët, për të zgjedhur praktikat e tyre dhe për të ndaluar një akt seksual në çdo moment. Masa vjen pas vendimit të qeverisë të vitit 2022 për dekriminalizimin e punës seksuale.
Rregullat e reja Sipas legjislacionit të ri, punonjëset e seksit do të kenë akses në sigurimin shëndetësor, pushimin e paguar, pagesën e lehonisë, mbështetjen e papunësisë dhe pensionet.
Legjislacioni përcakton gjithashtu rregulla për orarin e punës, pagën dhe masat e sigurisë, duke plotësuar një boshllëk të kahershëm në mbrojtjen ligjore për punonjeset e kësaj industrie.
Punëdhënësit tani duhet të marrin licencë, t'u përmbahen protokolleve strikte të sigurisë dhe të plotësojnë kërkesat e sfondit, duke përfshirë asnjë dënim të mëparshëm për sulm seksual ose trafikim njerëzor.
Ata duhet të sigurojnë liri të pastër, prezervativë dhe produkte higjienike dhe të instalojnë butona emergjence në hapësirat e punës.
Puna e pavarur seksuale mbetet e lejuar, por punësimi i parregulluar nga palët e treta ose shkeljet e kuadrit ligjor do të ndiqet penalisht.
Mendime të ndryshme - Kundërshtarët argumentojnë se ligji nuk arrin të adresojë plotësisht stigmën dhe rreziqet që lidhen me profesionin, veçanërisht për punonjëset e seksit pa dokumente.
Mbrojtja ligjore nuk mbulon punën nga shtëpia ose aktivitete të tilla, si zhveshja dhe pornografia.
Sindikata belge e punonjëseve të seksit, e përshkroi ligjin si "një hap të madh përpara, duke i dhënë fund diskriminimit ligjor kundër kësaj kategorie".
Por njëkohësisht ka pohuar se se rregullat mund të “shfrytezohen” për të reduktuar ose eliminuar punën seksuale.
Dhe shton: "Ne shohim tashmë disa bashki që fshihen pas fjalëve ‘siguri’ dhe ‘higjienë’ për të shpallur rregullore shumë strikte lokale që e bëjnë punën seksuale pothuajse të pamundur në territorin e tyre".
Disa organizata feministe kanë kritikuar ashpër legjislacionin e ri. Kur projektligji u publikua në vitin 2023, Këshilli i Grave Frankofone i Belgjikës, tha se do të ishte "katastrofik" për vajzat dhe viktimat e trafikimit.
“Të pranosh që prostitucioni ekziston dhe se ne duhet të mbrojmë punonjëset, do të thotë të pranosh këtë dhunë seksiste dhe të mos e luftosh atë”, tha kreu i organizatës për gazetën belge, “Le Soir”.
Përshtati: Gazeta "Si"
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.