Bota

Belgjika në grevë: Anulohen fluturimet dhe udhëtimet me tren

Nga Gazeta ‘Si’- Belgjika u përfshi nga një grevë kombëtare të hënën, pasi punonjësit e trafikut ajror dhe hekurudhor u ngritën kundër planeve për reforma të pensioneve.

Rreth 40 për qind e fluturimeve për dhe nga Aeroporti i Brukselit – më i madhi i Belgjikës – u anuluan, pasi stafi i sigurisë dhe personeli tjetër ndërprenë punën.

Kompania ajrore, Brussels Airlines, tha të shtunën se është detyruar të anulojë paraprakisht gjysmën e fluturimeve të saj brenda Evropës, për t’i mbajtur në funksion linjat e largëta.

Operatori i aeroportit Charleroi – që është një ndër qendrat kryesore evropiane për linjën ajrore me kosto të ulët, Ryanair – tha se priten vonesa të konsiderueshme dhe anulime të mundshme.

Transporti hekurudhor pësoi gjithashtu kolaps – dy në tre trena që lidhin qytetet e mëdha, nuk funksionojnë. Shërbimi i trenave u ndërpre edhe në Bruksel.

Greva mbarëkombëtare u thirr nga tri sindikatat kryesore të Belgjikës për të protestuar kundër reformave në pensione, që mund të miratohen nga qeveria e ardhshme.

Partitë belge janë ende në bisedime për të formuar një administratë të re federale, pas zgjedhjeve që u mbajtën në qershor.

Pesë partitë që po negociojnë për të arritur një marrëveshje koalicioni, planifikojnë ta rrisin moshën e pensionit për punonjësit e hekurudhave dhe të tjerët, që tani lejohen të dalin në pension të parakohshëm, sipas sindikatës CSC.

Sindikatat planifikojnë të mbajnë edhe një demonstratë në Bruksel gjatë ditës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë