Politike

Beleri: Kam nisur procedurat për ta cuar vendimin në Strasburg, problemi i Ramës fillon tani  

Fredi Beleri ka humbur mundësinë për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, pasi Gjykata e Apelit la sot në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që e dënoi me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhje.

Në këtë mënyrë, Beleri nuk mund ta marrë mandatin e fituar në zgjedhjet e 14 Majit.

Ai do të qëndrojë pas hekurave në burgun e Fierit deri në muajin tetor, tashmë si një person i dënuar me një vendim të formës së prerë, ndërsa në Himarë do të ketë zgjedhje të reja.

Vendimi i sotëm e pengon Belerin edhe në ushtrimin normal të detyrës si eurodeputet i partisë greke “Demokracia e Re”, pasi nuk do të mund të shkojë në korrik në Strasburg për të bërë betimin.

Pak orë pasi u njoftua vendimi i Apelit, Beleri ka reaguar nga qelia

“Vendimi i Gjykatës së Apelit ishte i pritshëm, pasi grushti i shtetit ndaj meje ishte planifikuar në çdo hap nga vetë kryeministri shqiptar. Apeli, nuk mbaron këtu. Unë kam nisur tashmë procedurat e ankimimit në Gjykatën Europiane të Drejtësisë në Strasburg dhe jam i sigurt se drejtësia që nuk u dha nga regjimi i Ramës do të na jepet atje. Fatkeqësisht për të dhe për fat të mirë për helenizmin e veriut, prania ime në Parlamentin Europian – falë vendosmërisë së Kyriakos Mitsotakis dhe mbështetjes së popullit grek – garanton se lufta për demokraci dhe sundim të ligjit do të vazhdojë”, thotë ai.

Në të njëjtën kohë, ai e cilësoi kryeministrin shqiptar si një lider autoritar, duke theksuar se “ata që ushqenin iluzione se Rama do të veprojë si lider i një vendi që dëshiron të bëhet anëtar i familjes europiane u hodhën poshtë”.

“Për sa më përket mua, qëndrimi im është i qartë. Siç nuk u dorëzova në 14 muajt e fundit, ashtu nuk do të dorëzohem as tani, në 3-4 muajt e mbetur. Edi Rama do ta ketë problemin tani e tutje, jo unë. Në fund, drita fiton gjithmonë mbi errësirën”, përfundon Beleri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë