Politike

Beleri gjithsesi do jetë në fletën e votimit! Ç’ndodh nëse fiton?

Zgjedhjet e 14 majit kulmuan me incidentin në Himarë, në zonën që u rikthye sërish në përplasjet mes Tiranës dhe Athinës. Shkak u bë arrestimi i Fredi Belerit, kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i propozuar nga partia e minoritetit të PBDNJ-së së Vangjel Dules.

Ai është lënë në arrest me burg nga gjykata e Vlorës, pavarësisht thirrje nga Athina për lirimin e tij.

Arrestimi i tij ka ngritur pikëpyetje të shumta nëse do të zgjidhet çfarë do të ndodhë me të.Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në një postim në rrjetet sociale u shpreh se pavarësisht arrestimit të tij Beleri do të jetë në fletën e votimit më 14 maj.

"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se në kuptim të Kodit Zgjedhor, si dhe të Ligjit nr. 138/2015 "Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike", ai vazhdon të jetë kandidat dhe emri i tij mbetet në fletën e votimit”, shprehet Celibashi.

Kjo nënkupton se Beleri mund të ndodhë që në këto zgjedhje të shpallet fitues dhe të zgjidhet në krye të bashkisë. Por ligji ndalon mbajtjen e kësaj detyre, nëse për disa vepra penale është dënuar me vendim gjykate të prerë.

“Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në këtë ligj ku përfshihen edhe veprat penale Beleri akuzohet për korrupsion në zgjedhje për nenet 328 të Kodit Penal.

“Ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet. Pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve dhe favorizimeve të tjera kundrejt kryerjes së veprimeve të mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë”, thuhet në këtë nen të Kodit Penal.

Pra nëse Beleri zgjidhet do të detyrohet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë një vendim, nëse ndaj do të ketë një vendim gjykate së formës së prerë.

Himara pritet të jetë një dhimbje kokë, pas rezultateve të 14 majit jo për politikën, por KQZ-në nëse kandidati që akuzohet për shit-blerje votash do të zgjidhet fitues i bashkisë së Himarës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë