Jete & Stil

Bekham shkel rregullat, me avion privat në SHBA për të festuar me krushqit

Nga Anglia vijnë akuza të forta ndaj ish-yllit të Mançester Junajtid, Devid Bekham, dhe familjes së tij. Ata kanë shkelur rregullat anti-Covid të Britanisë së Madhe për të kaluar festat e fundvitit me krushqit e ardhshëm në Majemi.

Devid dhe Viktoria Bekham, bashkë me fëmijët e tyre, sipas “Daily Mail”, kanë fluturuar në sekret të plotë drejt Amerikës për të festuar Vitin e Ri, pa respektuar rregullat e forta që janë në fuqi në Britaninë e Madhe. Familja Bekham ka zgjedhur ditën e Krishlindjeve për të udhëtuar me një avion privat, duke injoruar kështu hapur rregullat e qeverisë së Boris Xhonson.

Çifti Bekham, – bashkë me fëmijët Bruklin, 21 vjeç, Romeo 18, Kruz 15 dhe Harper 9, – e kanë festuar Vitin e Ri në vilën e familjes të të fejuarës së djalit të madh, Nikola Peltz, në Majemi. Një vilë prej më shumë se 30 milionë eurosh në pronësi të Nelson Peltz, një biznesmen amerikan dhe babai i nuses së ardhshme të familjes Bekham. Bruklin dhe Nikola do të martohen vitin e ardhshëm.

Nga burime pranë familjes Bekham është thënë se nuk janë shkelur rregullat, pasi Devid ishte në një udhëtim pune në Amerikë, ku është bashkëpronar i ekipit Inter Majemi. Një mik i familjes ka thënë për “Sun”: “Devid dhe Viktoria e kishin programuar këtë udhëtim prej muajsh. Ai duhej të ishte në Majemi në janar, para nisjes së kampionatit, pasi po ndihmon klubin të gjejë lojtarë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë