Nga Gazeta ‘SI’ – Zv.ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Ilir Bejtja tha se financimi i kostos së energjisë nga qeveria do të vazhdojë deri në fund të vitit 2022, me një faturë prej 256 mln eurove.
Pjesë e komisionit të Ekonomisë, Bejtja tha se deri në fund të vitit, nëse familjet nuk e kalojnë limitin e 800KWh, do të kursehen 75 mln euro.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku pyeti zv.ministrin se pse qeveria propozoi fashën e 800 kilovatorëve dhe çmimin 42 lekë, tashmi 44 lekë, pasi sipas saj, shifrat prekin 71.000 familje dhe jo 40.000 sa thotë qeveria.
“Diskutimi në fund të ditës është, pse kërkohet që të rritet çmimi për një numër kaq të madh familjesh që shkon në 71.000. E dyta, kosto e buxhetit të shtetit që shkon për mbështetjen e sektorit energjetik. E treta, borxhet e kompanive, të cilat i diskutuam edhe kur diskutuam KLSH-në, por njëkohësisht dhe kur diskutuam buxhetin e shtetit. E fundit lidhet me faktin që 60% e energjisë prodhohet në vend dhe 40% blihet jashtë. Për të treguar që edhe në qoftë se çmimi i energjisë elektrike shkon në mbi 400 euro, atëherë është e pamundur që e gjithë kjo ngarkesë t’i transferohet familjes, kur ne po alokojmë dhe nga buxheti i shtetit. Në gjykimin tim, kushdo që ka një familje e shikon që nuk është aq minimale sa ju thoni”, -tha deputetja Tabaku.

Zv.ministri Bejtja shpjegoi se çmimi është përzgjedhur aq sepse është llogaritur kosto ekstra që del për çdo kilovat përtej 800 kilovatëve, me çmimet e bursës. “Për fashën 800 kemi bërë një analizë sipas konsumit ditor të familjeve, sipas aktiviteti dhe rezultati ishte më pak se 800, por ne e lamë 800. Ndërkohë ka njerëz me vila që ndriçojnë oborre dhe stalla”, -tha Bejtja duke shtuar se bursa hungareze HUPEX ka përllogaritur që për vitin 2023, çmimi mesatar i energjisë do të jetë 346 euro/megavat.
Bejtja shtoi se struktura energjetike do të ndryshojë plotësisht në 6 mujorin e dytë të vitit të ardhshëm, kur do të futen fotovoltaikët dhe do të ndihmojnë në uljen e kostos dhe optimizimin e rrjetit. Ai theksoi se kaskada nuk do të ndryshojë çmimin e energjisë, as OST e FSHU tarifën e saj, por ata kanë të drejtë të kërkojnë rritje çmimi çdo vit në ERE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



