Menaxhim

BE:1 mld euro projekte rrugore në Shqipëri. Po avancon në Korridorin e 8 dhe Korridorin Jon-Adriatik

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria po kryen punime në 138 kilometra, në projektet që lidhen me infrastrukturën Europiane.

Sipas përditësimit të Komunitetit të Transportit në BE, vlera e këtyre projekteve, që e bën Shqipërinë çelës të ndërlidhjes europiane, kalojnë shumën e 1 mld eurove.

Specifikisht, Shqipëria ka avancuar në projektin Thumanë-Kashar, pjesë e Korridorit Jon-Adriatik si dhe po vazhdon me rrugën Lekaj-Konjat-Fier, pjesë e të njëjtit projekt. Ndërsa në Korridorin 8 po punohet në ndërtimin e rrugës Elbasan – Përrenjas.

Autostrada Jon-Adriatik është një autostradë ndërshtetërore përgjatë vijës së detit Jon dhe Adriatik. Ajo do të nisë nga Trieste në Itali, kalon në Slloveni, Rijeka, Dubrovnik, Bosnjë-Hercegvinë, Podgoricë dhe më pas Shkodër, Durrës, Janinë, Patra dhe mbyllet në Kallamata.

Korridori i 8 po ashtu nis nga Italia për të kaluar në Durrës, Shkup dhe Sofje dhe për të dalë në Detin e Zi. Korridori i 8 parashikon dhe lidhjen hekurudhore midis vendeve, ku përsëri Shqipëria ka nisur punën.

Pjesa më e madhe e punimeve në Shqipëri po financohet nga Europa. Së fundmi ishte hekurudha Vorë-Hani i Hotit që mori dritën jeshile për financim nga BERZH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë