Kosova

BE: Operacioni policor në veri ishte i njëanshëm. Dëmton dialogun dhe përshkallëzon situatën

Nga Gazeta 'Si - Bashkimi Evropian ka kritikuar aksionin policor të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës ndaj zyrave financiare, duke e cilësuar atë si përshkallëzues dhe të njëanshëm.

“Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, tha në një komunikatë për media zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Gjatë aksionit të së hënës, autoritetet në Kosovë i mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen "e rendit dhe ligjshmërisë", u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para. Sikurse Shtetet e Bashkuara më herët, edhe Bashkimi Evropian e quajti vendimin e autoriteteve kosovare veprim të pakoordinuar dhe përshkallëzues.

“Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa një paralajmërim paraprak, apo pa koordinim, vetëm disa ditë pas takimit të fundit të dialogut, i cili po ashtu merrej me çështjen e këtyre objekteve të bankës Postare Kursimore, është një përshkallëzim dhe shkon kundër frymës së normalizimit dhe dëmton vullnetin e mirë të Kosovës në arritjen e normalizimit të raporteve përmes dialogut”, thuhet në komunikatë.

Ai e përsëriti se “statusi i strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe”.

Stano u bëri thirrje dy vendeve fqinje t’i kthehen dialogut të Brukselit.

Aksioni i autoriteteve të Kosovës u krye një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë