I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian në dialogun Kosovë-Serbi thotë se marrëveshja e nënshkruar mes dy vendeve në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit të kaluar dhe me ndërmjetësimin e Donald Trump nuk është detyruese.
“Çfarë është nën shkruar atje nuk parashikon një mekanizëm zbatimi dhe varet nga vullneti i dy palëve. Ne në Bruksel po punojmë për të pasur një marrëveshje të qartë që të përcaktojë se kush bën çfarë dhe kur e bën”, deklaroi Miroslav Lajçak gjatë një aktiviteti me temë bashkëpunimi mes BE dhe SHBA në Ballkanin Perëndimor.
Lajçak thotë se ftohja e raportit mes SHBA dhe BE ka ndikuar negativisht në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai nënkupton se BE nuk e mbështet marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhe nga Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Abdullah Hoti.
“Është e qartë që pati dy qëndrime të ndryshme dhe BE nuk e mbështet dhe as e deshi atë marrëveshje”, tha ai.
I dërguari i BE për dialogun shprehet besimplotë se me administratën “Biden” gjërat do të ndryshojnë dhe BE e SHBA do të qasen në një qëndrim të vetëm për Ballkanin Perëndimor.
Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje me 16 pika në Shtëpinë e Bardhë në prani të Donald Trump në shtator të vitit të kaluar. Thelbi i marrëveshjes ishte ekonomik dhe infrastrukturor, ndërkohë që në dy marrëveshje të veçanta të nënshkruara me Trump, Kosova dhe Serbia zotoheshin të zhvendosnin ambasadat e tyre në Jeruzalem. Sipas këtij zotimi, Izraeli, që nuk e njeh Kosovën, njoftoi se do të shqyrtojë në vazhdim mundësinë e ndryshimit të këtij qëndrimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




