Ekonomi

BE lajmëron qeveritë: Krizën e naftës mos e ktheni në krizë fiskale!

Zyrtarët e Bashkimit Europian po paralajmërojnë qeveritë e vendeve anëtare që të mos teprojnë me subvencionet, uljet e taksave apo kapet e çmimeve për të zbutur rritjen e çmimeve të energjisë, duke paralajmëruar se shoku i shkaktuar nga lufta në Iran mund të kthehet në një krizë fiskale.

Komisioni Europian kërkon që masat e propozuara të jenë të kufizuara në kohë dhe sasi, duke shmangur një skenar si ai i vitit 2022, kur kriza e energjisë nxiti inflacion të lartë dhe borxhe të mëdha publike.

Disa vende, përfshirë Itali, Poloni dhe Spanjë, kanë ulur taksat mbi karburantet, ndërsa të tjera kërkojnë lehtësim të rregullave për ndihmat shtetërore. Sipas Komisionit, çdo masë duhet të jetë e përkohshme, e targetuar dhe brenda mundësive fiskale të secilit shtet.

Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, paralajmëroi se masat qeveritare duhet të jenë të kujdesshme për të shmangur rritjen e inflacionit: “Politikat qeveritare të synuara mund të ndihmojnë për të zbutur goditjen duke ulur kërkesën për energji dhe duke kompensuar familjet me të ardhura të ulëta. Por masat e përgjithshme dhe të hapura mund të kthehen kundër qëllimit të tyre, pasi mund të rrisin kërkesën në mënyrë të tepruar dhe të nxisin inflacionin,” tha Laagrde, duke theksuar nevojën që politikat të jenë “të përkohshme, të synuara dhe të përshtatura.”

Rritja e çmimeve të naftës dhe gazit në Europë, rreth 60% pas sulmeve amerikane ndaj Iranit, ka rritur frikën për mungesa të naftës dhe karburanteve për avionë dhe makina. ECB paralajmëron se politika e gjerë dhe pa kufij mund të nxisë kërkesë të tepruar dhe të shtojë inflacionin.

Shumë vende po diskutojnë taksa të përkohshme mbi fitimet e kompanive energjetike për të kompensuar humbjet e taksave dhe për të lehtësuar barrën mbi qytetarët. Polonia, për shembull, ka ulur TVSH dhe taksat mbi karburantet me një kosto prej 370 milion euro në muaj, ndërsa qeveria planifikon të kompensojë me një taksë mbi fitimet e kompanive energjitike.

Komisioni thekson se mbështetja duhet të bëhet vetëm përkohësisht dhe në mënyrë të kujdesshme, për të siguruar që njerëzit të mos përfundojnë pa ngrohje ose prodhimi të ndalet, ndërsa synimet e gjelbra për reduktimin e përdorimit të karburanteve fosile duhet të respektohen./FinancialTimes


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë