Bashkim Europian lëshon sërish thirrjen për nisjen e dialogut ndërmjet mazhorancës dhe opozitës për të zgjidhur krizën politike dhe gjetur konsensus për reformën zgjedhore. Apeli erdhi nëpërmjet ambasadorit të delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.
“Tani është koha për kompromis, kompromis do të thotë që Qeveria dhe opozita takohen në mesin e urës. Ura ekziston, thjesht duhet gjendur”, u shpreh Soreca për mediat.
Ambasadori theksoi se “Ne kemi qenë të parët që kemi bërë ftesa për thirrje për dialog. Vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë në çdo moment dhe në çdo takim”.
Duke folur për reformën zgjedhore, ambasador ka nënvizuar domosdoshmërinë për marrjen e masave në respekt të zbatimit të rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Soreca, tha se në takimet që Genoveva Ruiz Calavera pati me kryeministrin Edi Rama, i kërkoi që qeveria të miratojë reformën zgjedhore, e veçanërisht, rritjen e ndëshkimit për shitblerjen e votave.
“Reforma zgjedhore mund të kryhet me ndryshime legjislative, por edhe me hapa që ndërmerren nga ana e qeverisë. E kemi ftuar qeverinë të marrë masa, p.sh për shitblerjen e votave. Kur them që ka disa gjëra që mund të bëhen nga Qeveria në këtë fushë, dhe këto janë gjërat që opozita i ka kërkuar, ka të bëjë me rekomandimet e OSBE-ODIHR, disa kërkojnë ndryshime legjislative dhe të tjera ndërhyrje nga qeveria”- tha ai.
Ndërsa sa i përket zgjedhjes së prokurorit të Përgjithshëm, Soreca u shpreh se ka ende kohë për të zgjedhur kreun e ri të organit qendror të akuzës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




