Menaxhim

BE jep 19 mln euro për të reduktuar mbetjet në Kukës dhe Gjirokastër

Nga Gazeta ‘SI’ – Bashkimi Europian i ka vënë në dispozicion Shqipërisë 19 mln euro për reduktimin e mbetjeve të ngurta vetëm në dy qarqe të vendit, Kukës dhe Gjirokastër.

Projekti i zhvilluar nga BE dhe qeveria franceze, parashikon rritjen e riciklimit me qëllim reduktimin e vëllimit të mbetjeve dhe ngritjen e landfilleve të reja sipas modeleve europiane dhe lehtësimin e menaxhimit të mbetjeve për të reduktuar ndotjen dhe emetimet e gazeve serrë.

Projekti parashikohet të ndikojë pozitivisht tek 190.000 banorë në qarkun e Kukësit dhe Gjirokastrës.

Ky projekt është pjesë e programit më të madh të Bashkimit Evropian për Shqipërinë me vlerë 30.9 milionë euro  “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Agjendën e Gjelbër”, i cili gjithashtu do të trajtojë përafrimin me legjislacionin e BE-së duke prezantuar politikat e “Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit” dhe duke mobilizuar komunitetet dhe sektroin privat drejt ekonomisë qarkulluese dhe agjendës së gjelbër.

Ky projekt është në përputhje me Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve të Shqipërisë (NWMP) për periudhën 2020-2035.

Në një ceremoni të përbashkët, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj.Mirela Kumbaro, ministrin e Deleguar francez përgjegjës për Tregtinë e Jashtme, Atraktivitetin dhe Francezët jashtë vendit, z.Oliver Becht, ambasadorja franceze në Shqipëri znj.Catherine Suard, ambasadori i BE-së në Shqipëri z.Luigi Soreca dhe drejtori i AFD-së për Ballkanin Perëndimor z.Arnaud Dauphin, lançuan zyrtarisht këtë projekt të ri. Pas një faze fillestare konsultimesh dhe studimesh teknike, investimet konkrete do të nisin nga viti 2024-2025 për një periudhë katërvjeçare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë