Lajme

BE-ja sinjalizon hapjen e negociatave me Shqipërinë?

“Kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian janë përmbushur tanimë." Këto ishin fjalët e para të Knut Fleckenstein, raportuesit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, ditën e djeshme.

Gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Europian, eurodeputeti Knut Fleckenstein u bëri thirrje vendeve anëtare të hapin negociatat me Tiranën, duke theksuar se Shqipëria ka bërë përparime të konsiderueshme në sundimin e ligjit dhe se vendi po shkon në drejtimin e duhur.

Deputeti gjerman kërkoi gjithashtu hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe vuri në dukje progresin e arritur nga Shkupi, duke theksuar se " BE-ja duhet të dërgojë një sinjal të qartë për Ballkanin Perëndimor në lidhje me qasjen e unionit në këtë rajon".

Knut Fleckenstein

Por pavarësisht deklaratave të Fleckenstein, Gjermania mbetet ende në listën e atyre vendeve që nuk kanë vendosur nëse do të japin dritën jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Megjithatë, një sinjal mjaft pozitiv erdhi nga ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, i cili deklaroi se, bazuar në përparimet e bëra nga Shqipëria dhe Maqedonia ishte pro-hapjes së negociatave.

“Disa shtete kanë bërë përparim të mirë, të tilla si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, ku kanë luftuar për të gjetur një zgjidhje për çështjen e emrit në ditët e fundit. Por, edhe Shqipëria, përmes një reforme gjyqësore shembullore. Prandaj unë jam në favor të hapjes me kusht të negociatave të pranimit me këto dy vende”, deklaroi ai.

Heiko Mass

Krahu i djathtë i Merkel nuk përmend cilat do të jenë këto kushte, por mediat gjermane shkruajnë se mund të çelen negociatat, por bisedimet për kapitujt do të fillojnë vetëm kur të vihet re progresi në prioritet e vendosura nga Brukseli.

Ai përmendi në fjalën e tij edhe rrezikun që i kanoset rajonit nga fuqi të treta nëse BE ngurron që të qartësojë të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor.

Theksojmë se Shqipëria bëri zyrtarisht kërkesë për anëtarësimin në BE në vitin 2009 dhe iu dha statusi i vendit kandidat në vitin 2014. Megjiithatë BE-ja bëri të qartë se Shqipëria duhet të punonte në pesë drejtime kryesore: administratën publike, reformën e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar( cila nënkupton edhe luftën kundër trafikimit të drogës dhe kultivimit të kanabisit) dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe mbrojtjen e pakicave etnike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë