Portofol

Digjitalizimi i Ballkanit. Çfarë do të përfitojmë?

Komisioni Europian ka bërë publik të martën, një projekt mjaft ambicioz për dixhitalizimin e Ballkanin Perëndimor. Sipas përfaqësuesve europianë ky program synon të mbështesë tranzicionin e rajonit në një ekonomi dixhitale dhe të korrë përfitime të mëdha nga transformimi digjital, si rritja më e shpejtë ekonomike, rritja e vendeve pune dhe shërbime më të mira sociale.

Bruksel-Marija Gabriel, Komisioneria e Ekonomisë dhe Shoqërisë Digjitale u shpreh gjatë mbledhjes së sotme në Sofje, se dixhitalizimi është një përkufizim pa kufij, që përfshin rajone dhe kontinente të tëra. Sipas saj, angazhimi i Bashkimit Europian për dixhitalizimin e rajonit do të bëjë që qytetarët të kenë aftësi për t'iu përshtatur kërkesave të reja të tregut dhe do të ndihmojë në modernizimin e administratave publike, forcimin e sigurisë kibernetike dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Axhenda Dixhitale për Ballkanin Perëndimor, erdhi pas angazhimit të shprehur nga udhëheqësit e BE në samitin e Sofjes më 17 maj, me qëllim që qytetarët e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë plotësisht nga transformimi digjital.

Cila është agjenda e BE-së për dixhitalizimin e Ballkanin Perëndimor?

Në një deklaratë  të publikuar nga Komisioni Europian, gjashtë ministrat e Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnjes, Kosovës, Mal të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe përfaqësuesit europianë u angazhohen për hartimin dhe zbatimin e një sërë projektesh në rajon. Pika e parë ishte investimi për një infrastrukturë më të mirë digjitale, e cila sipas BE-së është thelbësore për Ballkanin Perëndimor. Sipas deklaratës Komisionit Europan, BE-ja do të vërë në dispozicion 30 milionë euro grante të për të ndërtuar një infrastrukturën moderne në rajon, në mënyrë që të nxisë investimet strategjike dhe rritjen ekonomike. Paketa e asistencës teknike është miratuar tashmë për Shqipërinë, si një nga objektivat kyce të BE-së.

Rritja e sigurisë kibernetike, besimi dhe dixhitalizimi i industrisë është objektivi i dytë i kësaj agjende ambicioze. BE-ja dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor kanë një objektiv të përbashkët për të përmirësuar në radhë të parë sigurinë kibernetike. Agjenda digjitale për Ballkanin Perëndimor do të mbështesë ngritjen e kapaciteteve dhe digjitalizimin e industrisë në Ballkanin Perëndimor për t’u siguruar që të gjithë sektorët të përfitojnë nga risitë digjitale.

BE-ja do të punojë gjithashtu për forcimin e ekonomisë dhe shoqërisë digjitale: Agjenda digjitale do të mbështesë vendosjen e mjeteve që do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit digjital midis qytetarëve. Kjo do të bëhet duke mbështetur përfshirjen dhe përfaqësimin e Ballkanit Perëndimor në nismat dhe ngjarjet e BE-së. Axhenda do të mundësojë gjithashtu krijimin e rrjeteve rajonale dhe hapjen e trajnimeve për studentët dhe të rinjtë nga Ballkani Perëndimor në fushat digjitale.

Një tjetër pikë e rëndësishme e këtij projekti është rritja e inovacionit: Axhenda Digjitale do të ndihmojë në ngritjen e objekteve kombëtare kërkimore dhe zhvillimin e infrastrukturave shtetërore të Ballkanit Perëndimor. Kjo përpjekje do të sjellë një trajnim të klasit botëror për një gjeneratë të re të studiuesve dhe inxhinierëve dhe do të promovojë bashkëpunimin ndërdisiplinor në të gjithë Evropën.

Samiti i Sofjes

Cilat do të jenë hapat e ardhshëm të BE-së?

Duke pasur parasysh shkallën e investimeve të kërkuara, Komisioni Europian është i vendosur të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë partnerët dhe autoritetet e Ballkanit Perëndimor për një zbatim të plotë të agjendës dixhitale. Iniciativa për dixhitalizimin e rajonit u krijua nga Komisioni në bashkëpunim me partnerët e Ballkanit Perëndimor, të cilët do të monitorojë hap pas hapi zbatimin e Axhendës Dixhitale.

Agjenda digjitale për Ballkanin Perëndimor është një përpjekje e përbashkët e gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisionit Evropian. Ajo u prezantua më 6 shkurt të këtij viti si një nga gjashtë nismat kryesore për rritjen e angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.  Zbatimi i Axhendës Digjitale u sinjalizua fillimisht gjatë një samiti  në prill të këtij viti, gjatë të cilit u bisedua  edhe për uljen e tarifave të roaming midis partnerëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë