Bashkimi Europian e ka cilësuar sot të si të pranueshme futjen e vaksinës anti-covid nga Serbia në Veri të Kosovës në mënyrë ilegale.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ngritën shqetësimin” për hyrjen e vaksinës pa procedura të rregullta importit apo donacioni, për të cilat nuk dihet as origjina”.
Duke folur pak pas nisjes së hetimeve për shpërndarjen e vaksinës në Veri të Kosovës, Komisioner Varhelyi e ka cilësuar të papranueshme lëvizjen e Serbisë. Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se një sasi e saj do të arrijnë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. .
“Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës kanë iniciuar veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime”, deklaroi zyra e Hotit, pas bisedës telefonike me zyrtarin e lartë europian.
Reagimi i Brukselit zyrtar vjen pak orë pasi Prokuroria Themelore e Mitrovicës njoftoi se nisi hetimet lidhur me hyrjen e vaksinave në komunat në veri të Kosovës.
Kjo strategji e Serbisë u bë fillimisht publike nga presidenti Aleksandër Vuçic, i cili deklaroi më 25 dhjetor se në Kosovë ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e cila ka arritur në Serbi para disa ditësh. Por, autoritetet në Prishtinë thanë se zyrtarisht nuk janë njoftuar për këtë çështje dhe se vaksinat janë futur në Kosovë në mënyrë ilegale.
Ashtu si Shqipëria, edhe Kosova është bërë pret ta marrë vaksinën nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, program që ka për qëllim të shpërndajë vaksinat në vendet e varfra.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se përveç COVAX-it po negociojnë edhe me kompani që tashmë kanë prodhuar vaksinat e tyre, por i pyetur nga mediat, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se negociatat janë “konfidenciale”./REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




