Nga Gazeta ‘SI’ – Banka Botërore në raportin e saj për sigurinë energjitike ka listuar Shqipërinë si një ndër vendet që nuk ka marrë masa konkrete për mos rritjen e çmimit të energjisë, bashkë me Bosnjë Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Raporti thekson se në rajonin e Ballkanit, të gjitha vendet e tjera njoftuan masa të përkohëshme për të mbajtur të qëndrueshëm çmimin e energjisë. Masa që lidhen me heqjen e taksave të konsumit, reduktime të detyrimeve doganore, ulje të faturës së energjisë dhe çmime kufizuese, ngrirje të saj apo subvencion të drejtëpërdrejtë.
“Shumë nga këto politika janë jooptimale, pasi nga ato përfitojnë të gjithë konsumatorët, heqin dorë nga të ardhurat e rëndësishme për buxhetin dhe nuk ndikojnë në kërkesën për energji”, -vlerëson BB duke theksuar se janë masa që në fakt duhet të qëndrojnë të vlefshme për shumë kohë sepse në afatgjatë janë kundërproduktive dhe ulin investimet.
Në grafikun e vendeve që kanë subvencionuar energjitë për konsumatorët, nga gazi, nafta dhe elektriciteti, Shqipëria rezulton bosh.

Ndërkohë që parashikon rritje të vazhdueshme të kostos së të gjitha llojeve të energjisë, raporti i Bankës tregon se çmimi i energjisë elektrike do të dëmtojë më tej balancet tregtare. Në Shqipëri, ajo parashikon zgjerim të deficitit të jashtëm tregtar deri në 5% të PBB-së. Njësoj si në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Rrezikun më të madh e kanë vendet që varen nga importi i gazit po ashtu.
Banka jep 5 rekomandime për vendet e analizuara në raport, nga mësimet e marra dhe nga krizat e mëhershme.
1. Ndërhyrjet duhet të jenë transparente, plotësisht të buxhetuara dhe të kufizuara në kohë.
2. Meqenëse sinjalet e çmimeve janë kritike, konsumatorët e energjisë, jo taksapaguesit, duhet mbajnë pjesën më të madhe të barrës financiare. Prandaj, qeveritë duhet të konsiderojnë rikuperimin e fondeve për një periudhë të caktuar, të paktën pjesërisht.
3. Menaxhimi i çmimeve do të nxisë investimet e reja në energji dhe infrastrukturën në mënyrë konkurruese.
4. Duhet të bëhen ndërhyrje për të zbutur ndikimet tek konsumatorët familjarë synuar për familjet e cenueshme dhe me të ardhura të ulëta.
5. Ndërhyrjet afatshkurtra nuk duhet të stimulojnë familjet dhe firmat për të ndalur konsumin.
Politikat e praktikave të mira që lidhen me krizën aktuale përfshijnë politika që synojnë diversifikimin e furnizimit me energji, inkurajimin e kursimeve të energjisë dhe rritjen e prodhimit të energjisë së pastër.
BB paralajmëron vendet të menaxhojnë mirë furnizimin me energji, përndryshe do të duhet të kthehen në kohën e shkëputjeve energjitike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



