Lajme

BB: Mund të shtyhet afati i projektit për sigurinë e digave, ka vonesa

Banka Botërore do të shqyrtojë nëse do të shtyjë në kohë afatin e projektit për sigurinë e digave.

Sipas raportit të saj, edhe pse punimet rehabilituese në HEC-e po ecin mirë, ka shumë mundësi që për shkak të një sërë vonesave në rehabilitimin e portave të sigurisë dhe atyre të shkarkimit, nuk mund të përfundojnë deri në fund të dhjetorit 2020, siç është parashikuar në projekt.

Ky është një afat në përpjekje, por sipas BB-së do të riadresohet sërish në prill 2020. Në atë kohë progresi i zbatimit të projektit duhet të jetë domethënës dhe statusi i tij do të kapë më shumë të dhëna për një vendim.

Banka Botërore po mbështet që nga viti 2008 një projekt për sigurinë e digave. Ajo ka bërë një rishikim për fazën më të fundit të projektit pasi ka evidentuar ecurinë e ngadaltë në disa pjesë të projektit.

Projekti për sigurinë e digave ka një vlerë rreth 66 milionë dollarë ku pjesa më e madhe i dedikohet punimeve fizike në infrastrukturë dhe vetëm 10.9 milionë USD për asistencën teknike dhe trajnime.

Në raport thuhet se, pas fillimit të punimeve në prill 2019 kontraktori për rehabilitimin e portave të shkarkimit Ciltug nga Turqia po përparon me rehabilitimin e tuneleve të shkarkimit në të dy hidrocentralet.

Sipas BB, në HEC-in e Komanit aktivitetet rehabilituese në portat e shkarkimit numër 4 janë kompletuar në një pjesë të madhe dhe përgatitja për punimet në portën e sigurisë numër 3 ka filluar gjithashtu. Në fillim pas nxjerrjes së plotë të portës së sigurisë numër 4 u konstatua se ishte në kushte shumë të këqija. Punimet në vijim përfshinin riparime, testime, lyerje me bojë e të dyja anëve të portës së sigurisë pastrim i pjesës së hekurit që ndodhet nën ujë si dhe riparime të mekanizmit çikrik. Aktiviteti kryesor në pritje është saldimi nënujor i pjesës fundore që bën puthitjen, aktivitet që kërkon një koordinim të ngushtë me departamentin për prodhimin në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Në mënyrë që të garantohet siguri për impiantin e energjisë për të siguruar kapacitet të mjaftueshëm shkarkimi në çdo moment të punëve rehabilituese punime të mëdha në portën e sigurisë numër 3 do të nisin sapo të përfundojë ato në atë 4.

Banka shprehet se në hidrocentralin e Fierzës punimet filluan në fund të gushtit 2019 gati katër muaj më vonë se parashikimi për shkak të paaftësisë për të punuar në pjesën e shkarkimit pasi niveli i rezervuarit ishte mbi atë të nevojshëm për këto punime.
Aktualisht punimet po fokusohen tek porta e sigurisë në tunelin e shkarkimit numër 3 me një çmontim të plotë të portës si dhe riparime të asaj të sigurisë si strukturë si dhe me mekanizmin e ulje-ngritjes. Inspektimi fillestar në portat e sigurisë në Fierzë tregon kushte shumë më të mira sesa ato në HEC-in e Komanit.

KESH dhe ekipi i bankës thonë se afati i zgjatur mund të arrihet vetëm në rast të një koordinimi efektiv mes një sërë departamentesh brenda Korporatës, përfshije njësinë e menaxhimit të projektit, departamentin e gjenerimit, mirëmbajtjes si dhe atë të sigurisë ë digave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë