Ekonomi

BB: Inflacioni në Shqipëri është i brendshëm. Kursi i këmbimit ‘bllokoi’ efektin e politikës monetare

Nga Gazeta ‘SI’ – Raporti i fundit nga Banka Botërore analizon se inflacioni në Shqipëri nuk është më inflacion lufte, por është kryesisht i brendshëm.

BB ‘fajëson’ rritjen e pagave në vend si presionin kryesor të inflacionit që ka rritur shpenzimet konsumatore dhe rrjedhimisht edhe cmimet. Po ashtu, Banka përmend se të njëjtin efekt ka pasur edhe norma e lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi, pra ecuria pozitive, që mbajti të larta kostot e prodhimit.

Ushqimet e papërpunuara ishin kontribuuesi më i madh i rritjes së inflacionit, të shoqëruara nga rritja e çmimeve të shërbimeve. Duke reflektuar presionet e kërkesës, inflacioni bazë ishte mesatarisht 5.5% në tremujorin e dytë 2023, duke shënuar rënie krahasuar me tremujorin e parë 2023. Në të kundërt, inflacioni jobazë arriti në 2.8% në tremujorin e dytë, dhe është duke u kthyer gradualisht në nivelin mesatar të paraluftës.

Në analizë thuhet se rënia e shpejtë e inflacionit gjatë këtij viti, ka ndodhur për shkak të rënies së çmimeve të importit, nga mbiçmimi i monedhës vendase dhe normalizimi i politikës monetare.

“Trendi i mbiçmimit të kursit të këmbimit, që ka ardhur duke u përshpejtuar që prej vitit 2021, ka vijuar dhe në vitin 2023 duke arritur në 12% në korrik 2023. Ky trend reflekton reduktimin gradual të deficitit të llogarisë korrente (CAD) dhe një përmirësim të bilanceve të jashtme si rezultat i rritjes së eksporteve të shërbimeve. Për shkak të mbiçmimit të monedhës vendase, normalizimi i politikës monetare ishte më i ngadalshëm se sa pritej; banka qendrore mbajti normën bazë të interesit të pandryshuar në 3% në gusht 2023, dhe ky nivel nuk ka ndryshuar që nga rritja e fundit në mars 2023”, përfundon Banka në analizën e saj për Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë