Nga Gazeta ‘Si’ – Ministrja e bujqësisë, Frida Krifca njoftoi sot pas mbledhjes së qeverisë se Banka Botërore do të financojë me 65mln euro sektorin e bujqësisë në vend.
Krifca informoi se, së pari, do të financohet zgjerimi i rrjetit të ujitjes dhe kullimit.
“Pothuajse 27 milionë euro investim do të shkojnë për modernizimin apo ndërtimin e sistemeve të vaditjes në një territor prej mbi 23 mijë hektarësh në zonën e Divjakës, Konispolit, Lushnjes dhe kullimit në rreth 10 mijë hektarë të zonës së Semanit, Darzezës dhe Hoxharës.
Gjithashtu, në 27 stacione aktuale të kullimit do të instalohen panele diellore, duke i bërë ato të vetmjaftueshëm dhe pavarur nga rrjeti i energjisë elektrike, çka i kursen buxhetit të shtetit gjysmë milionë euro çdo vit”, deklaroi ajo.
Më tej deklaroi se do të ngrihet një zinxhir prej pesë qendrash rajonale në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër, platforma që lidhin direkt restorantet dhe rrjedhimisht konsumatorin, me prodhuesit e vegjël.
“Këto platforma do të lejojnë gjithmonë e më shumë fermerë që të prodhojnë një produkt të standartizuar, në përputhje me nevojat e tregut dhe me shitje të garantuar 100% që fazën e kultivimit”, u shpreh Krifca.
Ajo përmendi edhe vendimin e fundit të Qeverisë shqiptare, që tashmë ofron mbështetje financiare prej 40 000 lekë në muaj për studentët e rinj që zgjedhin të studiojnë në disa programe prioritare, ku përfshihet edhe dega e Bujqësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



