Sport

Battaglin fiton etapën e pestë të Giro D’Italia, Froome ruan ritmin

Enrico Battaglin fitoi etapën e pestë të Giro D’Italia të mërkurën, ndërkohë që Chris Froome dhe favoritët e tjerë për të fituar këtë tur çiklistik arritën që të ruajnë ritmin dhe të qëndrojnë në grupin e kryesuesve.

Rohan Dennis vazhdon të mbajë fanelën e liderit pas pesë etapave, me vetëm një sekondë mbi kampionin në fuqi të Giro D’Italia, Tom Dumoulin dhe 55 sekonda para katër herë fituesit të Turit të Francës, Chriss Froome.

Giovanni Visconit, një siçilian u përpoq që në shtëpinë e tij të kënaqte fansat e vet, por 200 metra nga vija e finishit, Battaglin kishte ruajtur më shumë energji se ai dhe e parakaloi. Visconti u kënaq vetëm me vendin e dytë, ndërsa portugezi Jose Gonçalves plotësoi podiumin.

Etapa e gjatë 153 kilometra nga Agrigento në Santa Ninfa në jug të Siçilisë, ishte përgjithësisht një terren i sheshtë, që favorizonte sprinterët.

Gara nisi me 15 minuta vonesë për shkak të një aksidenti ku u përfshi një prej motoçikletave shoqëruese të etapës.

Etapa e radhës, ajo e gjashtë parashikohet që të shkundë renditjen e deritanishme dhe ta ndryshojë atë rrënjësisht. Pikërisht në këtë etapë hyjnë në lojë “përvoja”, pasi është një terren ngjitës e rraskapitës për pjesën më të madhe të çiklistëve në Malin Etna.

Pas etapës së gjashtë, Giro D’Italia transferohet në pjesën kontinentale të vendit, duke nisur nga jugu në drejtim të veriut, deri në përfundim të këtij turi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë