Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka përmbyllur hetimin e brendshëm dhe ka hartuar një raport, të cilin do t’ja dorëzojë edhe Prokurorisë në lidhje me abuzimet me pronat në qarkun e Tiranës.
Kreu i ASHK-së, Artan Lame doli në një konferencë për shtyp këtë të shtunë, ku tha se edhe në Tiranë problematika me regjistrat e regjistrimit të Akteve të Marrjes së Titujve të Pronësisë (AMTP) është gjetur e njëjta problematikë si në Durrës me grisje faqesh, mbivendosje, shënime e falsifikime të tjera përgjatë tre dekadave.
“Fenomeni, që në Tiranë ishte shumë më i madh se në Durrës është se ekzistojnë 13 mijë faqe bosh brenda në regjistër. Është e kuptueshme që të jenë në fund të regjistrit, por faqe bosh brenda regjistrit është absurde. Një regjistër fillon nga faqja 1 e deri në fund. Të lësh faqe brenda bosh?!”, tha Lame.
Sipas tij, qëllimi ka qenë që faqet e lëna bosh në mes të regjistrave të plotësoheshin me tituj pronësie të falsifikuara.
“Qëllimi ka qenë për t’i plotësuar me ato AMTP-t e Rrugës së Kavajës. Më e trishtë është se janë mijëra faqe të pronës shtetërore, që kanë përtuar fare t’i plotësonin. Ka edhe ndërrime fletësh, që janë bërë me aq art, sa nuk kapen dot”, tha Lame.
Problemi tjetër, sipas Lames është regjistrimi i tokave bujqësore në fshatrat e Tiranës. Ai tha se vetëm gjysma e këtyre tokave kanë tituj pronësie dhe zotëruesit e tyre janë të pajisur me certifikata.
“Regjistrojnë të regjistruara, për fat të keq, vetëm rreth gjysma e pasurive. 31 vite që ka filluar procesi i ndarjes dhe regjistrimit të tokës bujqësore dhe është certifikuar vetëm gjysma e saj. Frika më e madhe në ndarjen e tokës, veçanërisht për zonat ku zhvillimi ka zhdukur kufijtë fizikë.Nga ky moment, ky rrezik nuk ekziston më, pasi askush nuk mund të prodhojë më AMTP te Rruga e Kavajës, e dinë të gjithë historinë te Rruga e Kavajës”, shtoi ai.
Sa për përgjegjësinë, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës e shpërndau atë në kohë dhe individë.
“Duhen hetime të mirëfillta për të zbuluar se çfarë ka pasur dhe çfarë ka luajtur në qindra faqe, që nuk ekzistojnë më fare. Raporti do të përfundojë në prokurori. Duhet të marrim gjysmën e shqiptarëve si përgjegjës për batërdinë e pronave. Prokuroria të marrë persona të veçantë, por ka qenë i gjithë sistemi i molepsur. Përgjegjësinë e kemi të gjithë, nga çdo kryeministër te çdo punonjës i arkivës.”, vijoi Lame.
ASHK identifikon në raport me qindra faqe të dyshuara në regjistër, pra që është hequr një faqe dhe është vënë një tjetër. Këtyre faqeve u ndryshon ngjyra, formati dhe shënimet e tjera standarde të fletëve origjinale.
“U gjetën rreth 100 faqe të dubluara dhe kjo bëhej me qëllim që e njëjta pasuri të trajtohej për disa qytetarë, të cilët pastaj duhej të shkonin në dyert e gjykatave për të gjetur se cilit i takonte pasuria”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




