Trukime, gjykim tendencioz, strategji kundër Teutës dhe mbajtje peng e basketbollit – janë vetëm disa nga akuzat kundër Presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit nga drejtuesi i klubit të basketbollit Teuta, Arqile Gorea. Së fundi ato janë rikthyer dy ditë më parë pas disa humbjeve rradhazi që durrsakët pësuan në minutat përmbyllëse në kampionat dhe Kupën e Shqipërisë. Pasi pranon vështirësitë financiare të tijat dhe skuadrave të tjera, ai veçon Besëlidhjen që ndryshe nga rivalët po kalon një formë të mirë, të merituar, garantuar nga kushtet financiare dhe sportive.

Në vazhdim ai vë “gishtin në plagë” dhe akuzon drejtuesit në selinë qëndrore dhe arbitrimin. Për këtë të fundit ai përmend edhe emra konkretë ku akuzon arbitrin Fatjon Malevi që po tallet me punën e skuadrës së Teutës. Diçka jo e re thotë Gorea që vlerëson se Malevi po përsërit gabimet e paraardhësve të tij që janë penalizuar tashmë për vendime të gabuara. Presidenti i durrsakëve kërkon pavarësinë e shoqatës së arbitrave që sipas tij nuk kanë arsimimin e nevojshëm dhe si pasojë as përgatitjen e duhur për të garantuar drejtimin e duhur të ndeshjeve në parket.

Arqile Gorea ka edhe zgjidhjen e kësaj situate e cila gjendet tek largimi i Presidentit Avni Ponari i cili po e mban peng basketbollin shqiptar prej vitesh. Nuk është hera e parë që Gorea përmend Ponarin por edhe Korab Llazanin si dy njerëzit që arrijnë deri edhe në përcaktimin e rezultateve teknike në parket. Madje për dicka të tillë, disa vite më parë, agjensitë që mbikqyrin shumat e luajtura në kompanitë e basteve, sollën një email paralajmërues për trukimin e rezultatit të ndeshjes mes Elbasanit dhe Barleti Eagles.

Ndërkohë pas akuzave të përsëritura të Presidentit Gorea, reagoi edhe shoqata e arbitrave të basketbollit duke hedhur poshtë çdo akuzë dhe kaluar topin në fushën e durrsakëve duke mbrojtur Presidentin e Federatës – “Na sulmojnë ne për të mbuluar horrllëqet që bëhen nën rrogoz. Federata vetëm ka përfituar nga beu i saj (siç quhet Ponari nga Gorea), jo vetëm financiarisht por edhe në lobimin e bërë prej tij në arenën ndërkombëtare”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.