Lulzim Basha tha se 30 qershori provoi se shqiptarët kanë braktisur Edi Ramën. Ai thotë se Partia Socialiste ka marrë më pak vota se në 2017 dhe 2015 në zgjedhjet e kësaj të diele.
“Edi Ramën sot e bojkotuan edhe socialistët, pasi për të sot votuan më pak se në vitin 2015 dhe 2017. Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Europë, që nga koha e komunizmit”, deklaroi Basha.
Kreu i PD-së e cilësoi parodi tragjike gjithë procesin dhe akuzoi Ramën se megjithëse nuk kishte rivalë, sërish manipuloi zgjedhjet.
“Akoma më tragjik është fakti që edhe pse votimet ishin në çdo element të tyrin, njësoj sikur të ishin votime të brendshme të Partisë Socialiste, ato u karakterizuan nga manipulime masive, përfshi rezultate të paracaktuara, blerje votash, kërcënim për të marrë pjesë, përdorim të burimeve publike dhe administratës shtetërore, votime të shumëfishta nga i njëjti person mbushje kutish dhe shkelje të tjera të rënda”, vijoi Basha.
Sipas kreut të PD-së, 30 qershori provoi dhe përforcoi edhe bindjen e tij se me Edi Ramën Kryeministër nuk mund të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Lideri i opozitës, u shpreh se pjesëmarrja e sotme në votime është vetëm e sektorit publik, të cilët siç tha ai u kërcënuar nga regjimi i kryeministrit për të votuar, ose në të kundërt do të humbnin vendin e punës.
“Në mënyrë të veçantë, regjimi ka ushtruar trysni dhe kërcënime ndaj punonjësve të sektorit publik. Mbi 150 mijë punonjësit publikë janë kërcënuar me pushim nga puna, nëse nuk votojnë së bashku me familjarët e tyre. Ata janë identifikuar dhe matrikuluar më një sistem të veçantë kodifikimi në të gjitha qendrat e votimit për të vërtetuar pjesëmarrjen e tyre në votim. Në të vërtetë, thuajse e gjithë vota e sotme është vota e sektorit publik, e rrogëtarëve të shtetit, e marrë nën kërcënim dhe dhunim të vullnetit të lirë të punonjësve dhe familjarëve të tyre. Numri real tregon asgjë më shumë sesa rrogëtarët e shtetit nën terror, të detyruar, njësoj siç e tregojnë përgjimet e BILD-it të dalin bashkë me familjarët që të mos e humbasin bukën e gojës. Atyre u jap fjalën se ne do të çlirohemi shumë shpejt nga ky ankth, nga ky krim ndaj jush dhe fëmijëve tuaj. Njësoj si të gjithë qytetarët, Ju do të jetoni me dinjitet dhe do t’u shërbeni me dinjitet vetëm qytetarëve dhe ligjit dhe jo pushtetit të radhës”, deklaroi Basha.
Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, veproi si vegël e verbër e Edi Ramës, shkeli çdo nen të Kushtetutës dhe çdo germë të ligjit. “Kjo tregon se regjimi i Edi Ramës manipulon zgjedhjet, edhe kur shkon në votime i vetëm dhe kontrollon çdo gjë i vetëm. Rezultati i sotëm provon çdo akuzë që ne kemi bërë kundër Edi Ramës dhe qeverisjes së tij. Sot, u provua se me Edi Ramën në krye. në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dua të falënderoj sot të gjithë shqiptaret që braktisën masivisht dhe refuzuan me përbuzje farsën dhe regjimin e Edi Ramës”, theksoi Basha.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi pati një postim në rrjetet sociale u shpreh se “85% e shqiptarëve refuzuan sot votimet moniste të Edi Ramës. Refuzuan premtimet boshe. Refuzuan Ramën”.
“Kjo e sotmja është një fitore për demokracinë shqiptare! Pjesëmarrja ekstremist e ulët është një fitore për popullin shqiptar e demokracinë në Shqipëri si dhe një goditje kundër diktaturës së Ramës. Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve. P.S: Sado që t’i mbushësh kutitë, shqiptarët të refuzuan. Bye, bye Edi”, theksoi Kryemadhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


