Politike

Basha rikthehet në Kavajë: Ngjarja e së hënës sulm burracak i Ramës

Kryetari i demokratëve, Lulzim Basha është kthyer brenda 24 orësh në Kavajë aty ku të hënën në mbrëmje u plagos në zyrën elektorale të PD-së, Bledar Okshtuni.

Nga koha kur ndodhi ngjarja ka pasur një qëndrim të PS-së se ngjarja nuk kishte motive politike, një video të vetë autorit të plagosjes me të njëjtin qëllim si dhe një foto më pas e publikuar nga PD-ja ku shihet duke darkuar autori i plagosjes Ndriçim Jonuzi me dy punonjës të Bashkisë, për të cilët PD pretendon se kanë qënë në vendin e ngjarjes bashke me Jonuzin

Vetë Lulzim Basha e cilësoi këtë ngjarje si “sulm burracak të Ramës”    

“Ora e ndryshimit po afron, dita po vjen, për ta larguar me votën e shqiptarëve të bashkuar njeriun që për 8 vite me radhe e mbajti peng vendin, e shkatërroi ekonominë, e përzuri rininë, i ka hyrë frika në palcë, e ka kuptuar dhe paniku i humbjes e ka tmerruar si askënd më parë. Sepse ai më shumë dhe më mirë se asnjëherë e di se më 25 prill Shqipëria fiton dhe Edi Rama humb. Vëllezër dhe motra Kavaja ia ka dhënë gjithmonë tonin demokracisë.

Ishte Kavaja që u ngrit e para me sakrificën e bijve të saj, ishte Kavaja që nuk u tremb kurrë nga diktatura, është Kavaja që e ndezi fushatën tonë për ndryshim dhe fitoren e gjithë shqiptarëve.

Është Kavaja që do ti prijë fitores së gjithë Shqipërisë. Ndaj padurimi tuaj, entuziazmi juaj, është një flakë, një vatër zjarri e shpresës që nuk e shuan dot as shiu i bekuar që është bereqeti i fitores sonë më 25 prill”, tha Basha në hyrje të Kavajës.

“Nuk e mbyll dot e nuk e kyç dot as sulmi burracak i Edi Ramës dje, përkundrazi jemi më të vendosur se kurrë, jemi më të fortë se kurrë, më të bashkuar se kurrë për tu dhënë shqiptarëve fitoren më të thellë në 30 vite, çlirimin nga e keqja dhe hapjen e rrugëve për ndryshim.

Një njeri që për 8 vite pati të gjitha pushtetet dhe dështoi, nuk mundet në asnjë mënyrë ta ndalë këtë uragan shprese. Nuk ka familje shqiptare që nuk e di se pas 8 vite dështime edhe 4 orë janë shumë për njeriun që për 8 vite premtoi dhe nuk bëri asgjë. Paniku i humbjes e ka shtyre drejt veprimeve që u ngjajnë vendeve diktatoriale.

Shqiptarët e kuptojnë se të dielën do ti japin përgjigje një pyetje: Edhe katër vite të tjera si këto që kaluam, apo bashkë për ndryshim që Shqipëria dhe Kavaja të fitojë? Kjo është zgjedhja që ndodhet para nesh”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë